BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Rreziku i doktrinës mbi pavarsinë e bankave qendrore

Doktrina e Bankave Qendrore të Pavarura

Dr. Ledian Droboniku

 

Çfarë pasojash juridike passjell doktrina neoliberale kur afirmon se: Banka Qendrore e Shtetit duhet të jetë e “pavarur” nga shteti?
Edhe pse me status publik, Banka Qendrore sillet si ent privat sepse varet nga mekanizma të së drejtës private dhe nga sjelljet e aktorëve privatë, kombëtarë e ndërkombëtarë, e jo nga ato së drejtës publike si Kushtetuta e një vendi demokratik dikton.
Neni 2 i Kushtetutës (1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. 2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.) sanksionon qartë se shteti dhe të gjitha institucionet e tij duhet të jenë tokëzuar me popullin sovran e të kurojnë interesin e tij. Asnjë institucion nuk mund të ketë një axhendë private e të shkëputur nga interesi publik që shteti kuron me institucione të ndryshme por të konkorduar me ligje. Neni 4 (E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. 2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.) sanskionon se veprimtaria e çdo institucioni në përmbushjen e interesit publik drejtohet nga e drejta dhe parimet kushtetuese e jo nga llogjika apo mekanizma të së drejtës private, si është sinkronizimi i aktivitetit të bankës kombëtare me parametrat e tregjeve.

Por a mund të privohet shteti prej atij sovraniteti kaq të rëndësishëm në erën globale si është sovraniteti monetar?
Shteti shqiptar është sovran dhe ngrihet mbi Kushtetutën e Shqipërisë të cilën populli e aprovoi me Referendum në 1998. Ai ka detyrimin që në formën dhe përmbajtjen e tij të realizojë të drejtat dhe detyrime kushtetuese të sanksionuara në të. Për realizimin e këtyre detyrimeve shteti duhet të disponojë të gjithë ato instrumenta (politika fiskale, monetare, valutore, tregtare, doganore, indutriale, bujqësore etj) që mundësojnë shprehjen e këtij sovraniteti në emër dhe për llogari të popullit shqiptar. Në këtë kuptim, shteti nuk ka për detyrë të realizojë vetëm të drejtat civile me mos ndërhyrjen e tij por dhe të drejtat ekonomike, sociale e kulturore me ndërhyrjen aktive të tij, ashtu si Kushtetuta dikton. Neni 3 (… dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore… janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë) neni 15 (të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik…) kreu IV mbi liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore dhe nenet 49-58, krijojnë pra një detyrim pozitiv për ndërhyrjen e shtetit në asetin ekonomik të vendit në mënyrë që ai të garantojë të drejtat themelore kushtetuese.

Por çfarë modeli ekonomik dikton Kushtetuta për realizimin e të drejtave të qytetarëve?
Kushtetuta ka pranuar idenë e krijimit të një ekonomie tregu, por të rregulluar brenda kushtetutës si çdo fenomen tjetër që zhvillohet në shoqëri. Kështu nga një anë ajo pranon idenë e pronës private por dhe pronës publike, idenë e iniciativës së lirë por dhe mbrojtjen e interesit publik dhe së drejtës së punës. Kuptohet që ky harmonizim i interesave antagonistë, kërkon ndërhyrjen e një shteti demokratik dhe garantues për funksionimin e tregut në të mirë të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm një pakice. Atë që Kushtetua shqiptare dhe asnjë kushtetutë demokratike nuk mund të pranojë është vendosja e tregut mbi kushtetutën dhe raportet e forcës mbi raportet e së drejtës. Pra kushtetuta shqiptare nuk pranon as dogmën komuniste por as atë neoliberiste. E para kërkon sakrifikimin e interesit privat dhe e dyta sakrifikimin e interesit publik, e para sundim të oligarkisë politike dhe e dyta sundim të oligarkisë ekonomike. Të dyja këto teza totalitariste sakrifikojnë të drejtat dhe liritë themelore të Njeriut. Ndërsa nga ana juridike, Kushtetuta ka optuar për krijimin e një shteti social (si pamë nenet e mësipërme) nga ana ekonomike ka optuar për një ekonomi mikse, ose keynesiane.

Përse?
Tek Kreu V (objektivat socialë) dhe neni neni 59, Kushtetuta sanksionon se: “1. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë.
Në ndërtimin e një ekonomie kapitaliste ekzistojnë dy teori ekonomike: 1) ajo klasike (neoklasike apo neoliberale) që ka përparësi stabilitetin e kapitalit dhe ajo 2) keynesiane që ka përparësi punësimin e përgjithshëm. E para kërkon liri të plotë të tregut dhe vendosjen e institucioneve të shtetit nën kontrollin e tregjeve (globale) dhe e dyta që mendon se tregu pëson deformime nga oligopolet duke mos realizuar dot optimalizimin e risurseve, punësimin dhe mirëqënien e përgjithshme. Kështu shteti social, (ndryshe nga ai komunist, nuk ka detyrimin për sigurimin e punës dhe individi nuk ka një të drejtë subjektive, por as edhe një shtet neoliberist që heq dorë nga punësimi) duhet të bëjë ato politika që favorizojnë punësimin e i ndalohet të bëjë politika të kundërta (deflative).
Kushtetuta dikton që Shteti (në plotësim të nismës private) të mos mbetet spektator apo i varur nga dinamikat private, por të ndërhyjë për garantimin e një tregu të lirë (si e mirë publike) dhe optimalizimin e ekonomisë dhe punësimin e përgjithshëm (duke bërë atë volum investimesh që vendi kërkon por aktorët privatë nuk mund ti bëjnë dot). Kushtetuta shqiptare (ndryshe nga ajo italiane neni 81 “pareggio di bilancio”) nuk kërkon as barazimin e bilancit publik, por aktivizimin e të gjitha burimeve financiare për zhvillimin e prapambetur të vendit dhe punësimin e përgjithshëm. Vendosja e kapitalit në shërbim të ekonomisë dhe punësimit lejohet dhe nga: Neni 156 (Shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare, kur autorizohet me ligj) dhe Neni 157 (2. Buxheti i shtetit krijohet nga të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare, si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme. Ai përfshin të gjitha shpenzimet e shtetit.). Në mes dy mënyrave për të krijuar pasuri, me anë të punës apo rentës së kapitalit, Kushtetuta (Neni 49/1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.) ka zgjedhur të parën pra punën, duke i dhënë përparësi punëtorëve dhe sipërmarrësve të prodhimit e jo atyre të spekullimit.
Idea e një banke qendrore të pavarur është zbatim ekstrem i neoliberizmit dhe për këtë arsye është totalisht në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe në antitezë me kushtetutën ekonomike shqiptare. Kështu dhe ligji për bankën e Shqipërisë (Neni 3 1. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve.) ashtu si dhe misioni dhe veprimtaria e saj është antikushtetuese. Misioni i bankës duhet të ishte punësimi dhe jo objektivi alternativ si stabiliteti i çmimeve, realizimi i politikave ekspansive dhe jo ato deflative reçesive, kontrolli kapitalit financiar kombëtar dhe jo hemorragjia dhe spekullimi i tij.
Ja pse shteti dhe ekonomia shqiptare janë ngritur jashtë shtratit kushtetues duke mohuar të drejtat e Njeritut dhe rrezikuar bashkëjetesën paqësore mes shqiptarëve si dhe fatet e kombit. Nga kjo gjendje e vështirë dilet vetëm nëpërmjet një patriotizmi kushtetues, që mundëson krijimin e një sistemi pol-eko të drejtë e demokratik, aty ku fatet e vendit nuk merren më “lart” por me pjesëmarrjen dhe vendimmarrjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, si garancia e vetme për të kontrolluar shtetin dhe politikat publike.
Më poshtë mundohemi të bëjmë një analizë ekonomike historike të doktrinës që mbështet pavarsinë e bankave qendore.

Për të kuptuar temën e “doktrinës” së bankave qendrore të pavarura, duhet të rindërtojmë në sintezë mënyrën (në dukje “inovative”) mbi të cilën është bazuar restaurimi i vizionit makroekonomik neoklasik.
Në fakt kjo “doktrinë” është kulmi i restaurimit të një modeli social të BE (në konkluzion të bashkimit monetar) që i imponohet edhe Shqipërisë prrej 20 vitesh si vend kandidat. Kjo paradigmë, edhe pse mjeshtërisht e maskuar prej të kuptuarit të opinionit publik është shenjë dalluese e një vizioni ekstrem e dogmatik ndryshe nga ajo çfarë ndodh me ekonomitë e vendeve të tjera të botës. Kjo bën BE dhe satellitët e saj një armatë të betuar kundër shtetit social, kundër trajtimit të punës si e drejtë por vetëm si “kosto” me një prirje histerike që sakrifikon rritjen dhe mirëqenien e popujve. Shqetësimi i vetëm mbetet preferenca ideologjike e “luftës ndaj inflacionit” dhe “sigurimi i investitorëve financiarë”, sidomos ata të huaj.

1. MODELI MAKROEKONOMIK NEOKLASIK, PARA KRIZËS SË 1929
Ky model bazohej mbi pagabueshmërinë e Ligjit të Say (ku oferta prodhon dhe barazon gjithmonë kërkesën, pra ajo që prodhohet do shitet me patjetër) duke e nxjerrë nga një përshkrim sektorial dhe projektuar në nivel të ekulibrit të përgjithsëm (walrasian).
Një rrjedhim i rëndësishëm i modelit klasik mbi punësimin e plotë është mungesa e papunësisë të pavullnetshme (pra janë njerëzit që zgjedhin kohën e lirë në vend të punës. Në këtë drejtim kuptohet dhe pse propaganda përmbys problemin e papunësisë nga dështimi i sistemit tek njerëzit që “zgjedhin” vullnetarisht të rrinë në kafe në vend që të punojnë). Ekzistenca e papunësisë, shpjegohet brenda kësaj ideologjie, si fërkim ose prishje e mekanizmave spontanë të riekuilibrimit. Prandaj në këto kushte ndërhyrja e shtetit për të stabilizuar ekonominë nuk është as i nevojshëm dhe as i pëlqyeshëm. Në teorinë e financës publik ekzistonte në fakt si dominante idea e “financës ortodokse” sipas së cilës, në periudhat e largimit të përkohshëm nga punësimi i plotë, do të ishte e udhës të ruhej barazimi i bilanceve publike duke mos ndërhyrë në mekanizmat spontanë të riekuilibrit.

2. TEORIA KEYNES-iane
Keynes, në kërkimin e kushtit të ekuilibrit dhe të instrumentave për arritjen e tij, nuk niset nga oferta e prodhimit por nga Kërkesa Agregate, pra nga substrati social në tërësinë e tij, duke përfshirë jo vetëm individët, familjet, sipërmarrjet por dhe shtetin dhe veprimin e tij. Konstatimi i tij justifikohet me konstatimin e dështimeve të tregut si ai 1929 (të atij tregu sipas modelit të një ekuilibri bazuar mbi ofertën dhe kërkesën lirisht në ndërveprim ) për shkak të 2 fenomeneve të ndërlidhue mes tyre:
1) krijimi, nga ana e ofertës, të Monopoleve dhe Oligopoleve, gjë që pengon që Kërkesa/Oferta të arrijnë strukturalisht një situatë ekuilibri. (Idea se tregu vetërregullohet është utopi e rrezikshme sepse do të thotë që ta lësh tregun nën kontrollin e këtyre oligarkëve. Por tregu është e mirë publike dhe duhet të garantohet demokratikisht nga shteti. Por nëse shteti nuk kontrollohet nga Qytetarët por nga ente oligarkike (parti e lobe) ai nuk garanton dot as tregun dhe as interesin publik. Në këtë mënyrë pasi oligarkët kanë kapur tregun, kapin dhe shtetin dhe çdo institucion duke sakrifikuar të drejtat e qytetarëve.)
2. Llogjika financiare orientohet ndaj periudhave të shkurtra, pra spekullative në pamundësi për të reflektuar mbi parashikimet dhe ekuilibrat racionalë.
Në interpretimin keynesian të modelit IS-LM, qoftë politika fiskale ashtu dhe ajo monetare janë të afta për të prodhuar efekte mbi ekonominë reale.
Keynesianët përballë trajektores së kurbave IS dhe LM theksojnë (në bazë të oservimeve ndaj dinamikave sociale efektive në rrugë induktive) se LM është përgjithësisht shumë elastike dhe IS e ngurtë (ndaj ndryshimit të normës së interesit). Si pasojë, politika fiskale ekspansive rezultojnë shumë efikase, sepse efekti i spostimit (të burimeve private që nuk gjejnë dot përdorime të dobishme për qëllime prodhimi) do të ishte shumë i kufizuar për shkak të efektit jo të zbehtë të rritjes së normës së interesit. Në këtë mënyrë do reduktohej aftësia stabilizuese e politikës monetare, sepse një reduktim i normës së interesit për shkak të rritjes së së ofertës nominale të monedhës (lëvizja poshtë në kurbën LM) nuk do të prodhonte efekte të forta të rritjes së investimeve.
Për keynesianët, ndër të tjera, ekziston një farë niveli minimal i normës së interesit përballë të cilës politika monetare bëhet joefikase. Bëhet fjalë për “kurthin e likujditetit” atëherë kur norma e interesit pozicionohet në një nivel minimal, operatorët kanë pritshmëri për një rritje të sajën dhe nuk do të reagojnë që të mos të kenë humbje në llogari kapitali, cilado qoftë oferta e monedhës. Në këtë rast askush nuk dëshiron të blejë tituj që prodhojnë një normë interesi shumë të ulët dhe preferenca për likujditetin do të jetë absolute.

3. KRITIKA MONETARISTE NDAJ KEYNES (FRIEDMAN)
Kjo teori ekonomike zhvillohet mbi bazën e një fenomeni konjitivo-teorik, të “fshirjes” së prezumimit themeltar të teorisë keynesiane, pra dështimin e tregut sepse mohohet rëndësia e monopoleve dhe oligopoleve. Kjo qasje kundërshtie ndaj Keynes, e pjesshme dhe asistematike, nënkupton në praktikë një premisë ideologjike jo të pranuar hapur: fshirja e analizës mbi “dështimin e tregut” nuk është tregues i një kufizimi të fajshëm të hetimit, por qëllimi i një modeli që në mënyrë programatike parashikon barrën e kostove të krizave vetëm mbi faktorin “punë” dhe diskretitimin e korrektimit inflacionist.
Kjo qasje ideologjike është e përbashkët me makroekonominë e re klasike, që zhvillon këtë ide qendrore – mohuese e të njëjtit fenomen të konfliktit mes kapitalit dhe punës – e cila kulminon pastaj me doktrinën e bankës qendrore të “pavarur”.
Në fazën e parë, kritika ngrihet mbi një revizion të teorisë sasiore të monedhës:
a) rivendoset besimi tek operimi i ekonomisë së tregut (dmth tek modeli i përgjithshëm i kërkesë/ofertë, duke mohuar fenomenet e përqendrimit të pushtetit të sipërmarrjes
b) i jepet një prioritet më i lartë objektivit të stabilitetit të çmimeve
c) kurse ndërhyrjes publike dhe autoritetit monetar i jepet përgjegjësia eskluzive mbi proçesin inflacionist
Në një fazë të dytë, kritika shtrihet ndaj interpretimit të kurbës së Philips duke propozuar një formulim të ri, të kundërt me atë keynesian duke dashur të shpjegojë fenomenin inflacionist me anë të një postulimi që shpreh inefikasitetin e veprimit të politikës fiskale.
Aspekti kryesor i kritikës së parë monetariste qëndron në idenë se nivele të larta inflacioni në sistemin ekonomik ndodhin për shkak të një rritje të tepërt të ofertës së monedhës. Friedman e lidh veten me teorinë sasiore dhe propozon një riformulim:
– Operatorët të marrin vendimet e tyre mbi bazën e variabilave realë të sistemit, që reflektojnë fuqinë blerëse të tyre
– Kërkesa e monedhës të mbetet e pandryshueshme në kohë, sepse ekziston në evidencë empirike e një lidhje funksionale stabël mes kësaj dhe faktorëve që e përcaktojnë.
Në themel të këtyre hipotezave të reja, Friedman dimostron që norma e ndryshimit të çmimeve (pra norma e inflacionit) është baraz me diferencën mes normës së rritjes së kërkesës së monedhës për qëllime transative.
Në periudhën afat-gjatë, nëse norma e rritjes së ofertës së monedhës kapërcen normën natyrore të rritjes së ekonomisë, rezultati do jetë inflacioni. Pra inflacioni nuk është vetëm një fenomen monetar, por mund të prodhohet dhe si pasojë e sjelljes së autoriteteve monetare. Në themel të skemës monetariste është pra qëllimi i rekuperimit të plotë të dogmës neo-klasike të para-krizës së “29, sipas së cilës ekonomia ndodhet në një gjendje natyrale afat-gjatë ku nuk ka çekuilibra në tregjet e veçanta e ku të gjitha variabilat gjenden në nivelin e tyre natyror.
Nga ky konceptim zhvillohet koncepti i normës natyrale të papunësisë, që nën një profil empirik, është niveli i papunësisë që mbizotëron kur ekonomia është në alokimin optimal të burimeve.
Duhet theksuar se kjo ide tautologjike e papunësisë dhe alokimi optimal i burimeve, e lidhur ndaj çdo lloj ekuilibri të mundshëm nga variabilat realë (në neto nga inflacioni) të sistemit ekonomik, synon pikërisht të çmontojë mekanizmat rishpërndarës, besuar ndërhyrjes së shtetit nga Kushtetutat demokratike pas luftës së dytë botërore dhe simbolikisht raportit Beveridge.
Sipas Friedman, nëse ekonomia do largohej nga kjo situatë e alokimit optimal të burimeve, sistemi, afat-gjatë do të rikthehej përsëri në ekuilibrin natyral.
Drejtimi i sulmit monetarist kundër politikës fiskale aktive keynesiane, ndryshon kurs nga fundi i viteve “60, duke u drejtuar shprehimisht për të minuar bazat e kurbës së Philips nëpërmjet futjes në skemë të nivelit të pritshëm të inflacionit si një variabël shtesë në përcaktimin e normës së variacionit të rrogës monetare.
Në fakt, në artikullin “The role of monetary policy” të 1968, Friedman mohonte ekzistencën në periudhën afat-gjatë të një trade-off mes papunësisë dhe inflacionit në zbatimin e politikës ekonomike. Politika e stabilizimit të ciklit ekonomik, nën këtë optikë, kalon nga këto rrugë të paevitueshme (që i janë imponuar dhe Bankës së Shqipërisë):
1. autoritetet mund të ulin papunësinë nën normën natyrore vetëm në periudha të shkurtra dhe vetëm sepse niveli i inflacionit nuk është paraprirë në mënyrën e duhur. Hipoteza e pritshmërisë përshtatëse implikon korrigjime gradualë dhe jo të menjëhershëm të pritshmërive dhe politika fiskale mund të jetë efikase vetëm në periudha afat-shkurtër.
2) çdo tentativë për të mbajtur nivelin e papunësisë nën normën natyrore prodhon vetëm një rritje të inflacionit
3) nëse kihet si synim reduktimi i normës natyrore të papunësisë e pra rritja e nivelit të output-it është e nevojshme të ndiqen vetëm politika nga ana e ofertës për të përmirësuar strukturën dhe funksionimin e tregut të punës sesa politika nga ana e kërkesës
4) norma natyrore e papunësisë është e përputhshme me çdo normë inflacioni që nga ana e vet është e pëcaktuar nga norma e ekspansionit monetar si postulat i teorisë sasiore. Nisur nga kjo bindje se inflacioni është thelbësisht një fenomen monetar për shkak të rritjes monetare, monetaristët pohojnë se inflacioni mund të ulet vetëm duke reduktuar normën e rritjes së ofertës monetare.
Është e rëndësishme të shihet se në këtë mënyrë, perfeksionohet një operacion me karakter “metonimik”: iu vesh tregut të punës rritja e inflacionit për shkak të shock-ut të naftës në vitet “70, kur në fakt struktura e punës, e asistuar nga politika rishpërndarëse e sanksionuar nga Kushtetutat (të konsideruara si të ngurta dhe kundër “ekuilibrit natyror”) ishte vetëm përgjegjëse për kufizimin e fitimeve (në situata të ciklit negativ), pra në praktikë, të shpërndarjes simetrike të pasojave reçesive të inflacionit naftë-shkaktar dhe nga ana e kapitalit.
Faktikisht restaurimi i modelit neo-klasik i përgjigjet këtij funksioni kundër-shpërndarës të rrezikut të krizave ekonomike dhe në përgjithësi të pasurisë, dhe në përfundim të revizionit total të rolit të Shtetit sepse pengon me detyrimet e tij kushtetuese, këtë funksion.

4. MAKROEKONOMIA E RE KLASIKE (LUCAS: POST FRIEDMAN)
Me të fshirë përfundimisht e ideologjikisht idenë e dështimit të tregut dhe hapur kështu rrugën ndaj kalimit të kostove të krizave ciklike mbi të vetmin faktor punë, makroekonomia e re klasike i beson shkatërrimin e teorisë keynesiane një “kontestualizimi historik”, duke interpretuar Keynes – dhe thelbin e kushtetutave – si refleks i një strukture politike “transeunte” e denoncuar si “jo optimale”.
Përgjatë viteve “70 MRK (makroekonomia e re klasike), i vë vetes si objektiv të demonstrojë me rrugë të reja mbytjen e sintezës neoklasike, në mënyrë që ta rekuperojë qoftë nga profili teorik ashta dhe nga kënvështrimi i pasojave në termat e politikës ekonomike.
Baza e referimit është ende ajo e monetarizmit të Friedman, por kontributet e R.Lucas dhe autorëve të tjerë për të vënë në dyshim edhe kurbën e Philips e rritur për pritshmëritë, synojnë ti mohojnë çdo rol për politikat fiskale dhe monetare.
Që të godasë kaq thellë tezat keynesiane, MRK ka nevojë të rimarrë disa postulate të teorisë klasike dhe të modifikojë disa që gjenden në monetarizmin e Friedman. Në veçanti:
a) të gjitha çmimet, përfshirë dhe rrogat, janë plotësisht fleksibël qoftë nga lart ashtu dhe nga poshtë dhe modeli është i tipit walrasian.
b) hipoteza e pritshmërive përshtatëse propozuar nga Friedman zëvendësohet kështu nga “pritshmëria racionale”. Pasoja kryesore e arsyetimit të Lucas çon në përfundimin se politika publike nxitëse nuk mund të influencojnë prodhimin real dhe papunësinë, por janë veçse variabila nominalë. E parë nga një tjetër këndvështrim, pasoja është se vetëm politika të paparashikueshme ose shock të papritur mund të ndryshojnë lidhjet mes variabilave reale dhe çojnë përkohësisht sistemin në çekuilibër, me prodhimin dhe papunësinë sipër vlerave të tyre natyralë. Duhet të jetë kështu e qartë se se kjo përjashton çdo rol ndaj politikave të ndërhyrjes publike me qëllim stabilizimin.
Në veçanti, sinteza neoklasike individualizon tre raste kryesore që të çojnë në konvalidimin e tezave keynesiane:
a) nëse investimet janë pak sensibël ndaj normës së interesit, dmth në rastin e kurbës IS shumë të ngurtë.
b) nëse ekziston një kurth likujditeti si shpjeguam më sipër
c) nëse rrogat monetare janë të ngurta nga poshtë, pra nëse proçesi klasik i korrigjimit, në prani të papunësisë bllokohet në fazën fillestare
Për sintezën neoklasike janë këto elementët e vetëm në gjendje për të ndërprerë lidhjet shkakësore të korrigjimit mbështetur nga teoria klasike dhe kështu në gjendje për të shpjeguar ekzistencën e një ekuilibri jo të punësimit të plotë.
Për të shënuar se në të paktën dy raste, mes atyre të treguar më sipër, reflektojnë një strukturë politike në të cilën:
– (rasti a) për arsye vendosur pikërisht nga ndëryrja publike sistematike, norma e interesit real synon të jetë negative dhe papunësia të jetë e ulët pikërisht për ekzistencën programatike të një shpenzimi publik social dhe një legjislacioni të mbrojtjes së rrogave dhe të aktivitetit sindikal
– (rasti c) në mënyrë analoge, jemi në prani të një strukture politike ku kërkesa e punës është e organizuar nga një sindikatë e fortë. Kjo është e shprehur në termat se “punëtorët nuk do pranojnë që GDP (prodhimi kombëtar) të rritet pa u rritur dhe rrogat e tyre, pavarsisht një farë norme inflacioni”
Deduksioni i këtij fajësimi të strukturës politiko-sindakale, është propaganda mediatike e politike të urrejtjes ndaj sektorit publik, sektor në të cilën rezistenca për të braktisur kriterin e bashkëpjesëmarrjes së punës ndaj rritjes së pasurisë kombëtare, ka qenë më e fortë, për arsye të faktorëve të ndryshëm politikë.
Meqë për sintezën neo-klasike vlefshmëria e tezave keynesiane (aktivistë të politikave fiskale) reduktohet vetëm nën tre rastet specialë më sipër, MKR-stët të deklaruar “jo aktivistë” respektojnë ndërhyrjen publike, mbi lakueshmërinë e kurbave IS e LM, kanë versione të ndryshme nga ato konceptuar nga Keynes.
Ata në fakt pretendojnë se kurba IS është shumë elastike (e sheshtë) dhe LM e ngurtë (shumë e rrëpirët). Rasti i parë shënon një vlerë të lartë të elasticitetit të investimeve ndaj normës së interesit; e dyta reflekton elasticitetin e dobët ndaj kërkesës për para ndaj normës së interesit.
Në këtë kontest politika monetare rezulton më efikase sesa ajo fiskale, nga momenti që elasticiteti i lartë i IS ndaj i, e kombinuar me një LM të ngurtë, do të amplifikonte efektin e spostimit (crowding out effect – Rritja e normës së interesit bën që të ulen investimet (private); pra kërkesa agregate e të mirave reduktohet duke ulur dhe të ardhurat. Kështu, kur rritja fillestare e shpenzimeve publike provokon një reduktim të investimeve private, kemi pra këtë efekt spostimi) dhe do të ulte efektin global të një manovre të bilancit ekspansiv; ndërsa elasticiteti i dobët i LM ndaj i, e kombinuar me elasticitetin e IS, është në gjendje të amplifikojë efektin mbi Y (prodhimin) ndaj një variacioni të ofertës së monedhës (gjë që shpjegon përse synohet të anatemohet moltiplikatori fiskal).
Obsesioni për spostimin (crowding-out effect), pra besimi i pademostruar kurrë shkencërisht e historikisht (e kundërta provohet) anatemon ideologjikisht e mediatikisht ndërhyrjen publike joproduktive si një frenë ndaj alokimit optimal të burimeve që ndodh nëse i besojmë verbërisht magjisë së tregut. Domga e sotme që ka pushtuar dhe politikën europiane që ka zëvendësuar të drejtat kushtetuese me besimin e një tregu të pagabueshëm.
Kulmi i sintezës neoklasike, por për disa aspekte dhe të kapërcimit të saj, arrihet pas publikimit në 1956 nga një kontribut themeltar i D.Patkinin dhe përpunimi i teorisë së konceptit të “efekteve të bilanceve realë” (real balance effect). Ky efekt është për konceptin e Patkinin, efekti potencial që mbi kërkesën agregate mudn të ushtrohet prej rritjes së disponibilitetit monetar real të mbajtura nga individët në vijim të një rënie të nivelit të çmimeve duke u nisur nga një situatë optimale e përdorimit të burimeve. Disponibilitete më të larta monetare reale, afirmon Patkinin, do të mund të gjeneronin një rritje të kërkesës agregate dhe si rrjedhojë një rritje të prodhimit dhe punësimit, deri sa ekuilibri optimal të mos jetë rivendosur.
Kontributi i Patknin synon të riafirmojë “neutralitetin e parasë”, dmth mungesa e efekteve reale në vijim të modifikimeve të variabilave monetare. Në radhë të dytë, dobishmëria e politikave fiskale tretet në asgjë. Me hipotezat e Patkinin e zotësisë së efektit të balancave reale për të përballuar dy ose tre rastet specialë identifikuar nga sinteza neoklasike, nevoja e politikave fiskale ekspansive dihet tëjetë e kufizuar në rastet e ngurtësisë së rrogave, dmth heqja e një prej hipotezave mbi të cilat bazohet skema e Patinkinit.
Megjithatë vetë Patinkini afirmon se efekti i balanceve reale mund të jetë në realitet shumë i dobët për të garantuar arritjen e një situate optimale; si rrjedhojë duhet që politikat keynesiane të mbeten dhe të luajnë një rol të rëndësishëm në masën ku nxisin efektin natyral të balancave reale ose zëvensësohen me mungesën e verifikimit të tyre.

5. INSTRUMENTAT MRK TË POLITIKËS EKONOMIKE DHE DOKTRINA E BANKAVA TË PAVARURA
Impianti teorik i klasikëve të rinj ka prodhuar pra, si pasojë jo të papërfillshme, mbi efikasitein e instrumentave të politikës ekonomike.
A) në radhë të parë MRK implikon mosefikasitetin e politikave fiskale dhe monetare sistematike dhe të paraprira, ato anti-ciklike falë ndërhyrjes publike.
B) në radhë të dytë dhe në rrjedhim të postulateve të mosefikasitetit të Politikave Monetare e Fiskale, operatori publik dhe sidomos autoritetet monetare, duhet të shqetësohen të kontrollojnë vetëm normën e inflacionit dhe të aplikojnë një politikë të qëndrueshme që ndjek normën e rritjes natyrale të ekonomisë.
C) në vend të tretë, e vetmja politikë që duhet ndjekur për të rritur të ardhurat dhe uljen e papunësisë në mënyrë permanente është ajo e krahut të incentivave të tipit makroekonomik për biznesin dhe për punëtorët, që të prodhojnë përmirësime strukturore nga ana e ofertës e jo nga ana e kërkesës.
Ky afirmim ofron bazën për zhvillimin, në vitet “80, të tezave “supply side economics”, me qëllim që të mbështesin tezat e ndërhyrjes jo me politika në favor të kërkesës agregate, por direkt mbi përcaktueset e normës natyrore të rritjes ekonomike.
Ky postulat mund të shpjegojë dhe armiqësinë në rritje ndaj vetë nxitjes publike “direkte” ndaj investimit (Giavazzi): edhe të ndihmuarit me anë të shpenzimit publik në favor të investimeve e kryer jo lirisht në bazë të komozimit natyror të nevojave të tregut, duke u detyruar të kufizohet çdo ndërhyrje publike nda reformës së tregut të punës dhe uljes së kostove fiskale dhe kontributive.
D) Si përfundim, në kontrast qoftë me me keynesianët ashtu dhe me monetaristët, klasikët e rinj afirmojnë se në rast të një politike monetare shtrënguese të besueshme, me qëllim që agjentët ekonomikë të rishohin menjëherë pritshmëritë e tyre ndaj çmimeve nga poshtë kështu që një politikë deflative mund të jetë e shpejtë dhe pa pasoja të rënda në termat e papunësisë dhe të të ardhurave. (me fjalë të tjera, të obsesionuar nga kurba e Philips, e sulmojnë sepse e dinë që është e saktë: inflacion do të thotë pushtet kontrakues nga ana e rrogave (punëtorët) dhe mbetet shqetësimi i vetëm monomaniakal për tu luftuar, duke bërë politikat deflative hipotezën e vetme në konsideratë.)

6. Kuptimi i vërtetë i doktrinës së Bankave Qendrore të Pavarura
Në realitet neutraliteti i politikës monetare (nga një bankë e pavarur) nuk luan Efektet Direkte të Deklaruara ndaj reduktimit të inflacionit. Kjo sespse teoria e nënkuptuar sasiore e monedhës (teprimi i ofertës si shkak i inflacionit, përqafuar nga BQE dhe imponuar BQSH) ose teoria e supozuar e ngurtësisë së kurbës LM (ndaj i) përgënjështrohet nga natyra endogjene e monedhës. Dmth, empirikisht gjithçka konfirmon se sasia e parasë komplesive varet nga formimi i nivelit të çmimeve e jo e kundërta.
Më së shumti objektivi i vërtetë i një teorie të tillë është EFEKTI KOLATERAL FINANCIAR PUBLIK, sepse në gjendje për të vepruar mbi inflacionin dhe mënyrën rishpërndarëse të dëshiruar. Më specifikisht është efekti i bllokimit të rrogave e për pasojë edhe të bllokimit të rritjes së kërkesës agregate, pra reçesionit në favor të “stabilitetit financiar” Pra:
1) BQ nuk financon-monetizon defiçitin publik, gjë që ndrydh natyralisht dhe kursimin privat sepse
2) e bën më të kushtueshëm barrën e borxhit dhe dikton në ndrydhjen e shpenzimit publik primar (gjë që riafirmon vlerën e vërtetë ideologjike të crowding-out, dmth të efiçencës së supozuar më të lartë risurseve ndaj privatëve, rrjedhuar prej një prezumimi të elasticitetit të investimeve ndaj normës së interesit)
3) arrihet kështu të sterilizohet progresivisht ndërhyrja publike dhe të kihet një rritje konstante e papunësisë
4) kjo rritje e papunësisë (konceptuar si natyrale) shoqërohet sigurisht me uljen e fuqisë negociuese dhe si pasojë uljen drastike të rrogave dhe të inflacionit

Për tu shënuar: të gjithë efektet e arritur në këtë mënyrë konfirmojnë në mënyrë implicite vlefshmërinë e Kurbës së Philips Kyenesiane, që kjo teori do të rrëzojë.
Ndër të tjera dizaktivizohen ex post, pra me një ndërhyrje institucionale (self fulfilling prophecy) dhe jo si tendencë empirikisht e verifikueshme, 2 raste nga 3 të vlefshëmirsë të teorisë keynesiane:
1) Kurba IS e ngurtë: pra investimet pak sensibël me ndryshimin e normës së interesit. Do të ribëheshin “sensibël” nëse do të përforcoheshin nga pritshmëri racionale për ndryshime negative ose zero të inflacionit. Kjo sepse edhe nëse rritja falë “spostimit” të risurseve për investime private nuk është parë ende, pra e regjistruar në diferencialet e rritjes më të lartë sesa nga ato më parë të realizuara: seritë historike të GDP në vende të ndryshme tregojnë të kundërtën
2) Ngurtësia nga poshtë i rrogave (duke neutralizuar rezistencësn ndaj llogaritjes inflative për rritjen e papunësisë)

Tani gjithçka bazohet tek ky aspekt komplementar istitucional i politikës monetare “të besueshme” (dmth vetëm anti-inflative në funksion të pritshmërive racionale ekzakte)
Në terma praktikë, mbi ndalimin e vetë financimit të shteteve apo nga ana e BQE në rastin e vendeve të BE që kanë një monedhë unike. (lender of last resort). Në fakt një monedhë e përbashkët mund të realizohej dhe pa zbatuar Doktrinën e Bankës Qendrore të Pavarur, duke trasferuar politikën monetare të qeverive kombëtare një qeverie federale (SHBA, Japonia, Kina, Brazili, Rusia, etj). Por vetëm Bashkimi Monetar Evropian UEM ka realizuar plotësisht modelin e pastër të BQ të pavarura, duke ua imponuar jo vetëm vendeve antare por dhe atyre kandidate për integrim. Si rrjedhojë vetëm BE ka hequr dorë nga të gjithë instrumentat shtetërorë të politikës ekonomike. Vijohet në këtë rrugë qorre me stanjacion ekonomik, dhe pse pjesa tjetër e botës po provon se rruga e kundërt është më produktive, e në fakt të gjitha këto vende po përjetojnë një rritje ekonomike.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked