BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Rriten kërkesat për azil nga shqiptarët, ikin të rinjtë

kerkesat e azil BE

Numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. (Të dhënat e marra nga studimi i Eurostat: http://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php/Asylum_quarterly_report).

Këtu janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azil kërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 66 mijë.

Në pjesën e të madhe janë të rinjtë ata që po ikin. Sipas të dhënave të detajuara të Eurostat, po për vitin 2014 (për 2015 nuk janë publikuar akoma), për Shqipërinë, grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç përbënte gati 45% të totalit të azilkërkuesve për Shqipërinë. Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grupmosha 0-13 vjeç zinte 26% të totalit të azilkërkuesve.

Rritja e numrit të të ikurve në 2015-n pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungese direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri. Bizneset, në fakt, kanë filluar të ndiejnë pasojat e largimit të fuqisë punëtore, që në një pjesë të konsiderueshme ka qenë e kualifikuar.

Bizneset e Call Center, ato të fasonit, të industrisë së përpunimit, teknologjia e informacionit po vuajnë pasojat e ikjes në emigracion të forcës së kualifikuar të punës. Sipërmarrjet e rretheve po rezultojnë më të prekura nga fenomeni i emigracionit. Edhe shëndetësia po alarmohet për ikjen e mjekëve.( Lexo:Emigrimi i punonjësve fut biznesin në krizë).
Sipas shifrave të bëra publike nga raporti i Eurostat, në tremujorin e katërt, 70% e azilkërkuesve shqiptar duan që të jetojnë në Gjermani, ndërsa kërkesat e tjera ndiqen nga Franca, Suedia, Hollanda dhe Britania e Madhe.

Muajt e fundit vëmendja e shumë mediave botërore u drejtua te kriza e emigrantëve, një ndër sfidat që ka Europa momentalisht. Në mesin e shtetasve sirianë, afganë dhe irakianë, të shumtë në numër ishin edhe shqiptarët, sikurse edhe fqinjët ballkanas nga Maqedonia, Kosova, Serbia etj.

Edhe pse shteti Gjerman publikoi listën e shteteve të sigurta, ndër të cilat edhe vendi ynë, i cili nuk kishte arsye të kërkonte azil, shqiptarët sërish kanë kërkuar të jenë pjesë e kësaj tokë europiane, si dhe të tjerave, duke iu referuar shifrave sipas tremujorëve.

Ndërsa muaji që shqiptarët kanë kërkuar më tepër azil ka qenë gushti i vitit 2015, me kërkesa rekord prej 9345, ndërsa tremujori i tretë i 2015 (që dominon me kërkesat më të larta për azil) ka në total 26’575 të tilla.

Sa i përket përgjatë gjithë vitit 2015, në Gjermani Shqipëria renditet pas Sirisë për kërkesat për azil, me 12% të totalit të tyre, apo 53 805 kërkesa vetëm në 2015.

Tendenca e kërkesave për azil përgjatë 2015 ka pasur rritje sidomos në tremujorin e tretë në 2015, ndërsa vihet re që periudha më e “vakët’ është tremujori i parë i 2015.

kerkesat e azil BE

tremujoret

 

 

 

 

 

 

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked