BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Rruga e Kombit apo supervjedhja e Kombit

Rruga e Kombit apo supervjedhja e Kombit

10:27 – 27/11/2015  Editorial  0

Ka gjashtë vite që është prerë shiriti i inaugurimit të rrugës “Durrës-Kukës”, por ende kjo autostradë do të vazhdojë të marrë makina me para nga buxheti i shtetit. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj në prezantimin e buxhetit gjatë ditës së djeshme tha se duhen edhe të paktën 160 milionë euro të tjera për ta kthyer në standardet e kërkuara këtë rrugë. Ndërsa deri më sot, ky projekt u ka kushtuar xhepave të qytetarëve shqiptarë 1.4 miliardë euro. “Ka një tender në proces, i cili parashikon investime modeste për mirëmbajtje intensive. Nuk e dimë sesi do të dalë, por po ju them se edhe sikur tenderi të mbyllet me sukses, përsëri ajo rrugë është e papërfunduar dhe e theksoj, kërkon edhe 160 milionë euro të tjera së paku, të cilat nuk i kemi”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Rruga Durrës-Kukës është një ndër veprat më të rëndësishme në infrastrukturë të realizuar në vend. Ishte një investim i domosdoshëm që duhet të ishte kryer më parë, pasi lidh Shqipërinë me Kosovën dhe zhvillon tregjet ekonomike jo vetëm mes dy vendeve, por dhe me rajonin. Është një rrugë më interes ekonomik, por edhe kombëtar. Por pikërisht, pse ka një simbolikë të tillë, duhet të ishte edhe modeli i një investimi serioz të shtetit shqiptar. Deri më sot rezulton se nuk është i tillë. Pasi projekti dhe realizimi i kësaj rezulton më shumë si vjedhje e kombit.

Së pari, sepse është një fiasko dhe gropë e hapur ku janë zhdukur shumica e fondeve të financave të vendit. Në 170 kilometra rrugë janë hedhur deri më sot 1.4 miliardë dollarë, si në asnjë rrugë tjetër. Kostoja për kilometër është më e shtrenjta se në çdo vend tjetër në botë. Të gjitha këto kosto të ndërtimit të këtij projekti paguhen nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Në vitin 2008 kur nisi projekti, qeveria “Berisha” përballoi gjysmën e punimeve me kredi të kripura për buxhetin e shtetit. Më pas, ndërtimi i saj u përballua nga fondet shtetërore, që në fakt janë taksat e qytetarëve. Për investimin e kësaj rruge ka edhe një akuzë publike ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili gjatë kohës që ishte ministër i Transporteve e shtoi koston e kësaj rruge edhe me 220 milionë euro të tjera, veç parashikimit. Edhe këto para nga xhepat e qytetarëve u morën.

Por  hedhja e makinave me euro nuk mbaron me kaq. Nëse i kthehemi pak historisë, në vitin 1998, ish-kryeministri Pandeli Majko vendosi një taksë për të gjithë ata që kishin automjete. U cilësua si taksë patriotike që do të përdorej për ndërtimin e rrugës e cila do të lidhte Shqipërinë dhe Kosovën. Për disa vite qytetarë paguan, por edhe sot nuk dihet se ku i çoi qeveria “Majko” lekët e Rrugës së Kombit, sepse ndërtimi i saj nisi nga Berisha 10 vjet më pas. Pas “vjedhjes” se Majkos dhe të Bashës, qytetarëve iu kujtua dje nga ministri i Ekonomisë se ende nuk kanë mbaruar punë me këtë rrugë. Në kohën që ky projekt duhet të ishte në funksion të plotë qeveria aktuale deklaron se duhen dhe 160 milionë euro të tjera. Me kaq para do të ndërtoheshin shumë rrugë e shkolla nëpër Shqipëri. Në të gjitha rastet, lekët do merren nga xhepat e shqiptarëve. Sigurisht, qeveria “Rama” nuk ka gisht në investimin e bërë nga Berisha, por gropat që ka lënë hapur ish-kryeministri në buxhet me paratë tona do t’i mbushë.

Arsyeja e dytë pse ky projekt tregon mungesën e seriozitetit dhe vjedhjen e qeverive shqiptare ka të bëjë me standardet e saj. Veç Shqipërisë, edhe Kosova ka kohë që ka nisur projektin për bashkimin e rrugës në Morinë. Në ndryshim nga rruga Durrës-Kukës, rruga Morinë-Prishtinë është në nivele shumë herë më cilësore sesa projekti në zonën shqiptare. Diferenca dhe cilësia e rrugës vihet re nga udhëtarët, pa u hyrë detajeve teknike që kanë të bëjnë me gjerësinë, cilësinë e asfaltit dhe veprat që janë realizuar përgjatë saj. Shqipëria me 1.4 miliardë euro ka bërë një rrugë pa standarde. Ndërsa në Kosovë me shumë herë më pak euro sesa ne kanë bërë një autostradë që nuk ndryshon nga ato të vendeve të BE-së. Dhe si për çudi, realizimi i projektit u bë nga e njëjta firmë. Këtej nga ne është bërë një punë sa për të prerë shiritin për fushën elektorale të Berishës, kurse në Kosovë rruga është me standarte europiane. Mund të ketë dhjetëra arsye teknike se përse cilësia nuk është e njëjtë, por sidoqoftë, dyshimet e vjedhjes nuk hiqen kollaj.

Por nuk mjaftojnë vetëm këto renditje abuzimesh dhe mungesë serioziteti. Vjedhja, në mënyrë më të zbutur do të vazhdojë ende për shqiptarët. Veç 160 milionë eurove që duhen sërish, një tjetër projekt i qeverisë, i cili është lënë pezull për momentin, synon që rruga të bëhet me pagesë. Çdo qytetar që do kalojë do paguajë një shumë të caktuar për firmën private që do të mirëmbajë rrugën. A nuk mjaftojnë taksat kombëtare që paguajnë personat të cilët kanë një makinë për rrugët, por duhet një tjetër taksë specifike? Një herë qytetarët u vodhën nga “Majko” për rrugën që nuk u bë, një herë nga Berisha për ndërtimin shkel e shko, një herë nga Basha me rritjen e çmimit, tani do vidhen nga qeveria e re dhe më pas do vidhen sërish nga privati? Sa herë duhet të paguajnë për një rrugë që nuk ka përfunduar ende?

Me të drejtë ka filluar të quhet si “Rruga e Kombit” apo “Vjedhja e kombit”?

Qamil Xhani

Ja MALI i shkeljeve ligjore të Lulzim Bashës me Rrugën e Kombit

GAZETAEXPRESSE premte, 25 Prill 2014 08:03

​Tashmë dihet se Lulzim Basha ka një faturë prej 191 milionë euro në shpinë, për të cilën duhet të japë llogari përpara drejtësisë shqiptare, herët apo vonë.

Bëhet fjalë për abuzimet me ndërtimin e Rrugës së Kombit nga kompania amerikane Bechtel.

Balkan Insight ka publikuar një investigim për këtë çështje dhe ka publikuar dosjen e përgatitur nga prokuroria për Lulzim Bashën, që në atë kohë ishte Ministër i Punëve

Publike, por që aktualisht drejton Partinë Demokratike. Në përfundim të analizës, prokuroria vlerëson se abuzimi kap vlerën stratosferike të 191 milionë eurove.

“Si përfundim vlen të përmendet se materialet e paraqitura (zërat e punimeve) me çmimet për njësi nuk janë sipas analizave të manualeve shqiptare e konkretisht:

1.Pagesa e infrastrukturës nga sipërmarrësi është vlerësuar 10% të vlerës së përgjithshme, në një kohë që në praktikën shqiptare kjo masë vlerësohet me 2.1% të vlerës së përgjithshme.

2.Vlerësimi i çmimeve të betoneve është bërë afërsisht 2 herë më i lartë se çmimet e përdorura në betonime nga firmat shqiptare.

3.Ka zëra punimesh që përsëriten në 2 forma si psh. analiza nr.5-a; analiza 6 deri në analizën 11.

4.Elementet e përforcimit të tuneleve, si shtanga e armatimit dhe sigurimi i fiksimit të barrierave, nuk detajohen në përmasat e tyre.

5.Nuk është pasqyruar TVSH prej 20% si element i domosdoshëm i vendosur nga ana e ligjit tatimor i Republikes së Shqiperisë.

Diferenca sipas llogaritjeve që kemi bërë është: 418.333.986 – 226.473.494 = 191.860.492 euro,” thuhet në dosjen e prokurorisë. “Ky fakt tregon më së miri se kontrata e lidhur dëmton rëndë interesat e shtetit shqiptar, pasi paratë dalin nga buxheti i shtetit dhe shpërdorohen. Mospjesëmarrja e përfaqësuesit shqiptar në tenderin ndërkombetar z.Niko Naska, i cili mbronte interesat e shtetit në tender dhe mungesa e anëtarit shqiptar në komisionin e vlerësimit të tenderit ka sjellë pasoja shumë të rënda. Është lidhur kontrata me çmime njësi shumë herë më të larta se tregu shqiptar dhe në kushte të disfavorshme për Republikën e Shqipërisë. Komisioni ka qenë i përbërë nga 4 shtetas të huaj, të cilët nuk njihen me kushtet dhe çmimet aktuale të tregut shqiptar.

Ministri Basha ka qenë në dijeni të faktit të dorëheqjes së Niko Naskës nga anëtari i tenderit, pasi Niko Naska ia ka paraqitur vetë personalisht ministrit dorëheqjen. Dorëheqja është miratuar më pas nga ministri. Vetë ministri ka pasur dijeni për tenderin ndërkombëtar që po zhvillohej, pasi dhe ai vetë ka qenë pjesëmarrës në çeljen e tenderit, ku është bërë dhe një ceremoni në MPPTT”.

Por ky nuk është i vetmi abuzim dhe e vetmja shkelje ligjore e Lulzim Bashës.

Një tjetër shkelje është përzgjedhja e kompanisë konsulente Ecorys, e cila përmendet një muaj përpara se të dilte VKM për përcaktimin e saj.

“Gjithashtu mospërputhje vërehet dhe midis datave të VKM nr. 460 dhe 481, pasi vendimi i parë që mban datën 10.07.2006 ka caktuar si konsulente Ecorys Group, në një kohë kur në datën 14.06.2006 me VKM 481, përmendet kjo shoqëri, e cila ka bërë propozimet për kriteret e klasifimit të tenderit ndërkombëtar për Rrugën Rrëshen – Kalimash (pra një muaj para caktimit me VKM, konsulenti Ecorys Group është përmendur në VKM nr.481).”

Një tjetër skandal i rëndë është edhe fakti që kompanisë Bechtel i është dhënë paradhënie 100 milionë euro, edhe pse ligji përcakton se i duhet dhënë vetëm 10 përqind e kontratës.

“Paradhënia nuk mund të kalojë jo më shumë se 10% e vlerës së kontratës (në rastin konkret vlera fillestare e cmimit të synuar të kontratës ishte 418.333.986 euro), pasi në rastin konkret i janë dhënë sipërmarrësit mbi 100.000.000 euro.

Pra është shkelur ligji duke u dhënë mjete monetare nga buxheti i shtetit mbi vlerën e garancisë së kontratës (garancia e kontratës ka një vlerë për të tre segmentet prej 29. 284.000 euro)”.

Pasi gjithë ky zullum u trash shumë, Lulzim Basha u justifikua duke u mbrojtur me ligjin anglez, duke shkaktuar një tjetër shkelje ligjore.

“Pra lidhja e kontratës dhe zbatimi i kontratës pa projekt zbatimi, pa supervizor, kufizimi i përgjegjësisë civile për sipermarresin (deri në 10% të vlerës së kontratës), kufizimi i përgjegjësisë nga taksat dhe tatimet, mospajisja me leje mjedisore, mungesa e oponencës teknike, dhënia e mjeteve monetare mbi 10% të vlerës së objektit, etj, etj, nuk mund të justifikohen me zbatimin e ligjit të huaj anglez që përmend kontrata.

Shkelje tjetër është dhe fakti se një pjesë e dokumentave të paraqitura për pagesë si dhe të dokumentacionit në përgjithësi janë në gjuhën angleze çka përbën një shkelje të ligjit për prokurimet publike.

Shkelje tjetër është fakti se çmimi i kësaj rruge prej 418.333.986 euro është një çmim i synuar (çmim në njësi) dhe jo çmim përfundimtar,” thuhet në dosjen e prokurorisë.

Kjo dosje shkoi deri tek shkallët e gjykatës dhe nuk hyri kurrë brenda. Megjithatë ajo është sërish në prokurori dhe rëndon. ./gazetatema/net/

 

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked