BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Shitësi i misrave dhe shitësi i detit

Shitësi i misrave dhe shitësi i detit

Nga Përparim HaliliAugust 13, 2014 14:07

Në Shqipëri, siç e dimë ndodh kështu: Qytetarët e zakonshëm, ata që nuk kanë familjarë e miq në pushtet dhe me pushtet, vihen ashpërsisht përballë drejtësisë edhe kur prej varfërisë psh., futen e vjedhin një “kokërr domate” në bahçen e tjetrit. Ndërsa, ata që kanë pushtet e që kanë të afërm me pushtet, sikur të vjedhin edhe lekët e shtetit me “maune” (si banka) e sikur të vrasin turma njerëzish në bulevard dhe në fabrika biznesesh mafioze, jo vetëm që nuk preken prej ligjit, por edhe mbrohen prej tij. Madje dhe gradohen në poste pushteti, bëhen shtetarë të lartë e të fuqishëm me aq pushtet, sa edhe emërojnë e komandojnë drejtësinë. Këta jo vetëm nuk i prek policia, por kur kalojnë në rrugë edhe i nderon me qëndrim “gatitu” si në parada. Këtyre, jo vetëm nuk u preket as fija e… flokut nga drejtësia, por edhe duartrokiten prej saj kur ata mbajnë fjalime për zbatim ligji e drejtësi!

Po prezantojmë dy personazhe, nga këto dy kategori shoqërore. Njeri bën pjesë tek ajo kategori shoqërore që “shtypen me këmbë” e që “dridhen” prej shtetit. Ndërsa tjetri, bënë pjesë tek grupi që “të shtyp me këmbë” në emër të shtetit. Këto ditë, “i shtypuri” ka dalë e po punon në rrugë për të nxjerr kafshatën e bukës. Ndërsa “shtypësi”, ka dalë podiumeve të sallave me kondicionerë e po mbanë fjalime për drejtësi. Njeri është shitës misrash, ndërsa tjetri është shitësi i detit shqiptar.

 

Shitësi i misrave, 4 herë i dënuar dhe sekuestruar për “evazion fiskal”

Ky që shikoni në këtë foto është shitës misrash. I gjendur prej shumë vitesh i papunë e në varfëri ekstreme në familje, çdo muaj korrik ai nis “biznesin” si pjekës e shitës misrash në një lagje periferike të Tiranës, me një leje provizore 3 mujore korrik-gusht-shtator, dhënë nga njësia bashkiake përkatëse. Një ditë, duke u bërë klient rastësor i shitësit të misrave, ai më tregoi për hallin që e kishte zënë. Nuk e linte të qetë policia bashkiake e Tiranës. Ajo e ka marrë tre herë forcërisht shitësin e misrave, duke e futur në furgonin e policisë “për ca sqarime” dhe prej andej, “për mosbindje civile” e ka çuar në një zyrë, ku e ka “këshilluar” të mos shkelë më rregulloren dhe ligjin e tregut.

Të tria herët, policët bashkiakë i kanë sekuestruar thasët me misër, thesin me qymyr, zgarën, stolin, shkopin e hekurit që trazonte zjarrin e që rrotullonte misrat gjatë pjekjes, si dhe i kanë asgjësuar me këpucë misrat e pjekur, me “nxjerrje jashtë përdorimit në vend”. Përveç sekuestros e “këshillave” për të mos përsëritur “shkeljen e ligjit mbi tregun”, policia e ka dënuar shitësin e misrave tre herë me nga 10 mijë lekë të reja gjobë, pra me 30 mijë lekë të reja, sa 1000 kallëpë misri. Futjet në furgon dhe shoqërimet “për ca sqarime e këshilla”, sekuestrot e pajisjeve dhe të thasëve me misra (siç i kanë thënë kur e kanë “sqaruar”), policia ia ka bërë “në zbatim të ligjit për konkurencë tregtare të pandershme”. Ndërsa, me 3 gjobat nga 10 mijë lekë secila, policia e ka dënuar “për evazion fiskal, me pasojë fshehje të ardhurash e fitimesh”, mbasi shitësi i misrave nuk dispononte “libër bilanci furnizimesh me lëndë të pare kallëpe misri, bilanc shitjesh, fitimesh ditore e mujore”. Por nuk mbaroi këtu halli i shitësit të misrave. Pasi ka nisur të pjekë e shesë misra sipas “ligjit mbi tregun”, i pajisur me “libër bilanci furnizimesh, xhiroje e fitimi ditor dhe mujor”, policia i ka shkuar përsëri tek “dyqani” dhe e ka shoqëruar, “sqaruar”, sekuestruar e gjobitur përsëri me 10 mijë lekë të reja, “për kushte të këqija higjenike në “dyqan” dhe “për mungesë lejeje mjedisore”!

 

Shitësi i detit, 3 herë ministër dhe 1 herë kryetar bashkie i Tiranës

Ky që shikoni në këtë foto, njihet prej shqiptarëve si shitësi i detit, truallit zyrtar shqiptar. Kur ishte Ministër i Jashtëm, bëri pazar hajdutësh me qeverinë greke, duke i dhënë pjesën naftëmbajtëse të detit shqiptar. Këtë copëtim të territorit ai e bëri me urdhër të shefit të tij të asaj kohe, ish-kryeministrit Sali Berisha, duke hartuar, miratuar në qeveri dhe duke e votuar fshehtas në parlament këtë shitje deti. Pastaj, duke e konkretizuar shitjen e detit me firmosje publike në Greqi, përkrah shefit të tij ideator e urdhërues të këtij pazari. Në dokumentin e pazarit copëtues të detit shqiptar, i cili vazhdon të quhet “Pakt detar”, shitësi është ky që shikoni duke dorëzuar tek grekët, aktin e shitjes së detit, si të shiste pishinën e vilave të tij e të familjes Berisha.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e quajti të paligjshëm copëtimin dhe shitjen e detit, ndërsa shitësit nuk i përmendi as emrin si shitës! Pas copëtimit dhe shitjes së detit, akt që quhet “Tradhëti kombëtare”, në vend që shitësi të dënohej sipas Kushtetutës, u emërua Ministër i Punëve Publike e Transportit në qeverinë e Sali Berishës, ideatorit, krye-pazarxhiut dhe urdhëruesit të copëtimit e shitjes së detit! Edhe në këtë post, shitësi i detit nuk e harroi zakonin e pazarxhiut të interesave kombëtare. Po në mënyrë të fshehtë, ai shiti tenderin e “Rrugës së Kombit”, prej të cilës zhvati 240 milionë euro, afërsisht sa 30% të sasisë së vjedhur në Thesarin e Bankës së Shtetit, që drejtohet nga guvernatori i propozuar prej partisë që e drejton shitësi i detit. Pas shitjes dhe vjedhjes së tenderit të “Rrugës së Kombit”, në vend që të dënohej nga drejtësia, shitësi i detit, me ndihmën e drejtësisë shpëtoi me procedurë dhe u emërua Ministër i Brendshëm. Në këtë post, shitësi i detit nuk shiti troje kombëtare e tendera, por urdhëroi Gardën e Republikës të derdhte gjak protestuesish në bulevard, duke vrarë 4 prej tyre. Pas kësaj masakre, pasojë e urdhrit të tij, në vend që të vihej përpara drejtësisë, shitësi i detit u kandidua për kryetar bashkie të Tiranës, post të cilin e plaçkiti duke vepruar si… pazarxhi e shitblerës votash!

 

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked