BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Shkatërrimi i qyteteve është kartivizitë e sundimatarëve – Briken Miloti /shqipON

Shkatërrimi i qyteteve është kartivizitë e sundimatarëvebriki

 

Shqipëria tashmë merret si shembulli i keq ndërkombëtar, se si pushtetarë të papërgjegjshëm “lejuan” shkatërrimin e hapësirave publike dhe degradimin e qyteteve, si rrëfen së fundmi në librin e famshëm Stefano Bartolini, “Manifesti i lumturisë”. Kartvizita e Shqipërisë postkomuniste është e ngjyrosur në gri në çdo cep të sajën. Sa më shumë i bën zoom kësaj fotografie gri, aq më thellë kupton trishtimin kolektiv që ka përpirë vendin dhe qytetarët e tij. Izolimi dhe largimi i njerëzve nga problemet e komunitetit është dhurata më e mirë që mund ti bëhet këtij pushteti të papërgjegjshëm. Qytetarët shqiptarë nuk përvetësuan të drejtën për të vendosur si sovranë, por fatet e tyre i vendosi përsëri një kastë e ngushtë njerëzish e etur për pushtet dhe pasuri.

Njerëzit vendosën të jetonin në një komunitet (polis) që e ndërtonin së bashku çdo ditë me atë formë qeverisjeje që e quajtën demokraci. Pra demokracia ishte mënyra e mirë për të ruajtur qytetin nga abuzimet e më të fortit. Por që demokracia të funksionjë dhe komuniteti të prosperojë duhet që qyteti të ketë qytetarë aktivë dhe jo thjesht banorë spektatorë.

Ajo që na mungon është pikërisht kultura demokratike e cila është në kundërshtim me kulturën baritore e të rendurit si të marrë pas liderrave. Proçesi i urbanizimit të shpejtë mbushi qytetet me banorë por jo me qytetarë sepse të tillë nuk kishte pasur në asnjë cep të Shqipërisë. Dallimi fshatar-qytetar është treguesi më i qartë se nuk ka qytetarë në kuptimin iluminist të fjalës, ata që ndërgjegjësohen për të drejtat e tyre dhe nuk lejojnë të përdhunohen nga askush.

Ndërtimi i qyteteve pa plane rregulluese, do të thoshte se pushteti i kishte duart e lira të jepte leje milionere për betonizimin e çdo hapësire publike klientëve të tij. Kështu pushteti forconte radhët e tij, pasurohej me shpejtësi duke zhdukur çdo mundësi për zhvillim afatgjatë të komunitetit.

Rasti i Tiranës si “residence evil” është rasti më emblematik se si futen në një kurth urbanistik 1 milion banorë. Se si sot, është qyteti më me pak shërbime në Europë, qyteti më me pak rrugë për frymë, pa korsi biçikletash, pa parkime publike, me trotuare optional, pa sheshe nëpër lagje aty ku banojnë njerëz, pa kënde lojrash aty ku jetojnë fëmijët, pa parqe aty ku jetojnë pleq.

Ndërtimi i polisit bëhet rreth një sheshi, një vendi fizik ku qytetarët takohen, flasin dhe njihen me njëri tjetrin. Shkatërrimi i këtyre shesheve është vrasja e të qënurit qytetar në kuptimin iluminist të fjalës. Zëvendësimi i shesheve me qendra tregtare është reduktimi i qytetarëve në konsumatorë, lehtësisht të kontrollueshëm dhe të manipulueshëm. Marrja peng e unazës së Tiranës prej dekadash dhe ndërtimi i shpejtë i segmentit pranë TEG-ut është një tjetër kartvizitë gri e kësaj klase politike.

Ndërsa gri është ngjyra e kësaj kartvizite, babëzia është materiali i kartivizitës së çdo qeverie që sundon këtë vend. Nuk ka fjalë të tjera për të përshkruar shkatërrimin e parkut të liqenit nga çdo qeverisje që ka ardhur. Në vend që të ndërtoheshin parqe të tjera brenda dhe jashtë qytetit, vazhdohet me betoniere të zeza dhe sllogane green.

Kafshimi i fundit i parkut me premtime se po ndërtohet “kënd lojrash për fëmijët” mund ti hanë vetëm fëmijët, ashtu si po hanë beton dhe pluhur në lagjet ku banojnë. Propaganda 3D na shtyn të flasim për “madhështinë” e projektit, por jo për vetë vendin e projektit. Nëse ai mund të bëhej nëpër lagjet ku jetojnë fëmijët psh, si ndodh kudo në botë dhe jo tek fasadat e pushtetit.

Pushteti shpik një problem që populli në amnezinë e tij të harrojë problemet e tjera dhe më të mëdha, si vazhdon të jenë ndërtimet faraonike poshtë digës së liqenit. Ndërtimi i një parku të blertë do kishte kosto ekonomike minimale, por kaq përfitime sociale, si një hapësirë krijuese për të rinjtë, vend shfaqjesh, kinema verore, panaire, lojra sportive etj.
Por për këtë, pushteti dhe mediat e tija heshtin dhe nëse mediat nuk flasin, populli televiziv nuk sheh, dhe nëse populli nuk sheh populli harron. Pranimi i së keqes dhe dorëzimi janë si stili i strucit, por lë një pjesë “vitale” jashtë, kaq e lakmueshme për çdo pusht/etar.

Prandaj, si qytetarë na lind detyrimi të zgjohemi dhe të kërkojmë ato forma adiministrimi të qyteteve si vendet evropiane ku duam të shkojmë. Heqim dorë duke rendur pas pushtetarëve që bredhin me letra e projekte nëpër duar dhe miliarda nëpër xhepa. Kërkojmë që çdo projekt të na shpjegohet pasta të jëmi ne që të vendosim. Na duhet të heqim dorë nga kultura baritore, për të kërkuar të vendosim vetë fatet e qytetit tonë.

Jo me sllgane marramendëse, por me instrumenta të vërtetë si referendume detyruese sa herë që vendoset për jetët tona dhe të fëmijëve tanë. Deri sa pushteti të vendosë dhe ne të “noterizojmë” para ekranit apo para kutisë së votimit, skamja dhe injoranca do lëshojë rrënjë aq të thella sa askush nuk do ti shkulë dot më. Prandaj, shkulim kulturën baritore dhe mbjellim kulturën demokratike, ku të gjithë së bashku kërkojmë të vendosim vetë fatet e vendit si qytetarë me dinjitet.

Briken Miloti eshte aktivist i Levizjes ShqipOn

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked