BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Skema mafioze e pastrimit të parave

FCPAreport

Skema mafioze e pastrimit të parave

Një rrjet i tërë personazhesh të njohur dhe biznesmenësh të rëndësishëm, janë përfshirë vitet e fundit në disa transaksione të dyshimta shitblerjesh aksionesh në kompani të ndryshme që merren me naftë, lojëra fati, financa dhe media. Një skemë e tërë që ngrihet rreth një njeriu të vetëm, hebreut me pasaportë gjeorgjiane: Amiran Dzanashvili. Ky njeri, i njohur në botë si një milioner gjeorgjiano-izraelit, ka vënë këmbën në Shqipëri për herë të parë në vitin 2010, për t’u rikthyer më pas dhjetëra herë të tjera, deri në gusht 2014 (pak kohë para se të arrestohej për prostitucion në Bukuresht) ku në harkun kohor të një viti (maj 2013-gusht 2014) ka blerë dhe ka shitur me dhjetëra kompani, duke lëvizur shuma të mëdha parash. Pikërisht për këto shuma, hetuesit shqiptarë, por edhe ata të shërbimeve të huaja, kanë dyshimin e madh se gjenden përpara një skeme mafioze pastrimi parash, e cila, nëse rezulton vërtet e tillë, mund të trondisë botën e biznesit dhe financave shqiptare.
Pikërisht për veprimtarinë e milionerit gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanashvili, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet. “Abc News” ka raportuar se ndaj biznesmenit që ka edhe shtetësinë rumune janë regjistruar në Tiranë dy procedime të ndara, ku po hetohet për akuzat e evazionit fiskal, mospagim tatimesh dhe taksash, falsifikim të dokumenteve dhe akuza tjetër ajo e “pastrimit të parave” në bashkëpunim.
Të gjitha këto vepra, sipas Prokurorisë, biznesmeni milioner, tashmë pronar në Shqipëri i kazinove, hoteleve luksoze dhe aksioner në disa kompani të naftës, dyshohet se i ka konsumuar këtu nga viti 2013 e në vazhdim. Kjo është koha që mendohet se ai ka filluar të investojë në Shqipëri në disa kompani, fillimisht si aksioner i një përqindjeje të vogël dhe më pas si blerësi tyre me 100% të aksioneve, si ortak i vetëm.
Për grupin hetimor, hyrja e tij në tregun e biznesit në Shqipëri dyshohet se ka patur si qëllim pastrimin e parave që kanë burime kriminale nga aktivitete të ndryshme të paligjshme jashtë territorit shqiptar. Për hetuesit, kjo është edhe një nga pistat hetimore e dy dosjeve për të cilat po hetohet gjeorgjiano-izraeliti Amiran Dzanashvili. Ky hetim ka nisur pas arrestimit të biznesmenit në nëntor të vitit të kaluar në Rumani, si pjesë e një rrjeti të fuqishëm të shfrytëzimit dhe trafikut të femrave për prostitucion (foto gjatë arrestimit). Në pranga bashkë me Dzanashvilin kanë rënë edhe 22 persona të tjerë mes tyre, biznesmenë të kazinove dhe hoteleve luksoze në Rumani, të cilët dyshohen si pjesë e rrjetit të prostitucionit VIP në Bukuresht.
Në Shqipëri, sipas të dhënave që ka mundur të sigurojë “Abc News”, Dzanashvili ka ardhur për herë të parë për një vizitë një ditore me avion charter, në 6 dhjetor 2010 dhe është larguar po në atë datë, për t’u rikthyer pas gjashtë muajsh. Më pas vajtje-ardhjet kanë qenë të shpeshta. Kjo kohë i ka mjaftuar mesa duket biznesmenit, të dyshuar për veprimtari kriminale, për të njohur terrenin këtu dhe për të krijuar lidhjet e nevojshme. Rreth dy vjet më vonë, ai nis aktivitetin e tij në Shqipëri.
Investimi i parë i Dzanashvilit në Shqipëri ka qenë ai i datës 20 maj 2013, kur ka blerë fillimisht 20% të aksioneve të ortakut të deputetit Mark Frroku, në kompaninë e basteve sportive, “Xhoi Co 21 sha”. Disa muaj më vonë, Dzanashvili ka blerë edhe aksionet e tjera të kësaj kompanie, duke u bërë pronar së bashku me një shtetas izraelit, Ofer Nimrodi, i cili po hetohet gjithashtu për pastrim parash. Sipas transaksioneve të kryera, rezulton se Dzanashvili i ka kaluar deputetit Frroku dy transaksione, me rreth 340 mijë euro dhe më pas 1.4 milionë euro. Origjina e kësaj shume, për prokurorët është e dyshimtë. Për këtë fakt, kanë nisur hetimet ndaj tij si dhe ndaj deputetit Frroku për mospagim taksash dhe evazion fiskal.
Sipas dosjes së siguruar nga “AbcNews”, mësohet se deputeti Mark Frroku nuk është biznesmeni i vetëm shqiptar që ka bashkëpunar me Amiran Dzanashvilin. Referuar këtyre materialeve, Dzanashvili, përveç blerjes së kompanisë së basteve sportive të deputetit Mark Frroku, ka bashkëpunuar edhe me ish-deputetin Dritan Prifti me dy kompani, “Premier Service shpk” dhe “DT Premier Partners shpk”. Milioneri izraelit i arrestuar në Rumani për prostitucion, rezulton aksioner edhe në disa kompani të tjera të naftës si bashkëpronar apo ortak i vetëm, si kompania “Tea Oil”, “Tea construction& petrol” e shumë të tjera, transaksionet e të cilave po verifikohen.

Transaksione të mëdha me kompani të naftës

Sipas hetuesve rezulton se nëpërmjet përfaqësuesit të tij në Shqipëri, Amiran Dzanashvili ka kryer transaksione të mëdha bankare me kompani të tjera të naftës në Shqipëri, si “TPD Trading Petrol& Drilling”, “Crude Oil Traders” e disa të tjera. Të gjitha këto transaksione, po verifikohen për të parë origjinën e parave, pasi Drejtoria e Pastrimit të Parave dyshon se shumat që kanë ardhur në Shqipëri apo janë tërhequr nga Amiran Dzanashvili dhe bashkortakët e tij kanë qarkulluar nëpër vende të njohura si parajsa fiskale.
Grupi hetimor, po verifikon gjithashtu kontratat e shitblerjeve edhe për akuzën e falsifikimit. Pasi referuar sistemit TIMS, rezulton se disa nga kontratat e shitblerjeve të aksioneve apo kompanive të ndryshme, janë firmosur para noterit në data që nuk rezultojnë, se Dzanashvili ka qenë në Shqipëri. Në mesin e këtyre shitblerjeve janë edhe aksionet e kompanisë së basteve apo edhe në blerjen dhe dhurimin e aksioneve të kompanive të drejtuara nga Dritan Prifti.
“AbcNews” raportoi se ka në duar të gjithë skemën e transaksioneve të bëra në Shqipëri që kanë si epiqendër biznesmenin e dyshuar për pastrim parash, Amiran Dzanashvili dhe se do t’i publikojë ato në ditët në vijim.
Nëse Prokuroria shqiptare dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave i shkon deri në fund kësaj historie, ajo me siguri mund të trondisë jo pak botën e biznesit, medias dhe politikës. Gjithsesi, një aferë që bie erë ka shpërthyer dhe, herët a vonë, fakte të tjera do të dalin në sipërfaqe. Ato mund t’i japin përgjigje pyetjeve se kush janë lidhjet e pushtetshme të gjeorgjiano-izraelitit në Tiranë, deri në çfarë niveli shkojnë bizneset e përfshira me të, çfarë parash lëvizin në botën e naftës, etj.

Superkontrata 1.4 mln euro

Teksa në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të 2013, Mark Frroku, arrin të marrë mandatin e deputetit të zonës së Pukës, ai sërish ka vijuar marrëdhënien e biznesit me gjeorgjiano-izraelitin Amiran Dzanashvili. Teksa bashkëpunimi i parë i datës 20 maj 2013 ka shkuar shumë mirë për dy biznesmenët, 10 muaj më pas ata kanë vijuar ta shtrijnë këtë bashkëpunim edhe më tej, duke vendosur të nënshkruajnë një superkontratë me një vlerë prej 1.4 milionë euro.
Koha kur kjo superkontratë është firmosur mes gjeorgjiano-izraelitit Amiran Dzanashvili dhe Mark Frrokut ka qenë 27 shkurti 2014, periudhë kjo kur Frroku kishte marrë mandatin e deputetit. Siç duket për të shmangur çdo dyshim për pasurinë e tij, palët kanë rënë dakord që shifrën reale ta deklarojnë të plotë, dhe se në kontratën noteriale është shënuar shuma prej 1.4 milionë euro për blerjen e 30 për qind të aksioneve të deputetit Mark Frroku në kompaninë e basteve sportive “Xhoi Lloto”.

Pagesa 500 mijë euro e 5 këstet

Në kontratën e 27 shkurtit 2014 thuhet se çmimi për të cilën Amiran Dzanashvili dhe Mark Frrokut kanë rënë dakord për aksionet në shitje është 1.400.000 euro, i cili do t’i paguhet shitësit Mark Frroku në llogarinë e tij bankare nr.llogarie 00000491847 në Tiranë. Më tej tregohet se, shitësi Mark Frroku dhe blerësi Amiran Dzanashvili kanë rënë dakord se çmimi i blerjes do të paguhet sipas mënyrës që vijon si: “…në datën 20 shkurt 2014 blerësi Amiran Dzanashvili i ka parapaguar shitësit Mark Frroku çmimin prej 500 mijë euro, dhe shitësi ka pranuar marrjen e këstit të parë.
Pasi ka kaluar 30 ditë nga pagesa e këstit të parë dhe jo më vonë se 22 marsi 2014 shuma prej 250 mijë euro, që do të jetë kësti i dytë është paguar në llogarinë e shitësit Mark Frroku. Sërish, pasi të kenë kaluar 30 ditë nga pagesa e këstit të dytë jo më vonë se 21 prilli 2014 shuma prej 250 mijë euro, që është kësti i tretë është paguar në llogarinë e shitësit Frroku.
Teksa kanë kaluar 30 ditë nga pagesa e këstit të tretë, jo më vonë se 21 maji 2014 shuma prej 200 mijë euro është paguar në llogarinë e deputetit Frroku. Pasi të kenë kaluar 30 ditë nga pagesa e këstit të katërt dhe jo më vonë se 20 qershor 2014 shuma prej 200 mijë euro është paguar në llogarinë e shitësit Mark Frroku.

Interesi 2 mijë euro në ditë

Nëse do të ndodhte qoftë edhe një ditë vonesë nga moskryerja e pagesës nga Amiran Dzanashvili tek llogaria e Mark Frrokut, ai do të kishte një detyrim shtesë prej 2 mijë euro. Sipas superkontratës, për çdo ditë vonesë në pagesën e kësteve të çmimit të blerjes, shitësi Mark Frroku ka të drejtën e kërkimit të një interesi prej 2 mijë euro në ditë.
Ndërkohë, një tjetër pikë e kësaj kontrate tregonte se, nëse blerësi Amiran Dzanashvili nuk kryente pagesën e plotë prej 1.4 milionë euro deri më datën 30 korrik 2014, aksionet nuk do të regjistroheshin në QKR dhe se shumat e kësteve do të konsideroheshin si detyrim financiar dhe se Dzanashvili do t’i përmbushte jo më vonë se data 31 janar 2015.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked