Si çdo ideologji totalitariste, edhe #neoliberizmi ka nevojë ta përshkruajë realitetin me sllogane. Slloganet metabolizohen lehtësisht nga masat e nuk kanë nevojë për reflektim e diskutim.
Një nga këto sllogane të tranzicionit, është shprehja: “Ligjet i kemi të mira, por nuk zbatohen”.
Ky sllogan prodhon konfuzion e fatalitet, sepse askush nuk kupton më zgjidhjen. Përgjësia humbet fytyrën konkrete e bëhet metafizike, të gjithë dhe askush.
Por Betejat kolektive nuk bëhen në ajër e pa një objektiv të qartë. Objektivat kurorëzohen me aprovimin/modifikimin e një Kushtetute, ligjeve apo institucioneve.
Deri kur?
Ato ndryshohen deri kur arrijnë të realizojnë efektivisht vullnetin e sovranit dhe kurimin e interesit publik.
Kasta e di shumë mirë por propaganda pompon të kundërtën për popullin.
Vërtet kasta ka modifikuar Kushtetutën dhe ligjet por duke forcuar pushtetin e vet e jo atë të popullit, transparencën apo llogaridhënien. Pra reforma antidemokratike e oligarkike.
Si pasojë ligjet ekzistojnë formalisht, por atyre iu është hequr pjesa thelbësore. Ato nuk realizojnë dot qëllimet sepse duke qenë arbitrarë kthehen në mburojë të privilegjeve.
*****
Psh. Media dhe intelek/tualet kritikojnë mbushjen e parlamentit me kriminelë, biznesmenë, hajdutë e injorantë por nuk shpjegojnë popullit se kjo është fryt i modifikimeve të Kushtetutës në 2008. Nuk e shohin problemin tek fuqia e kryetarit për të emëruar/shkarkuar deputetët. Nuk i shqetëson fakti se ata janë besnikë të kryetarit e jo popullit që i noterizon.
Kritikojnë vendimet militante të KQZ-së, por jo faktin se me ligj KQZ-në e emërojnë partitë duke vrarë në djep pavarsinë e institucioneve në shërbim të Republikës, si Kushtetuta e 1998 diktonte.
Kritikojnë figurën e Presidentit por jo faktin se Presidenti nuk zgjidhet më as me konsensus e as nga populli. Një President militant, nuk mbron Republikën sepse vë institucionet në shërbim të partisë.
Nuk ka media e pseudointelektual e pseudo artist që shan popullin për gjendjen dramatike, por askush nuk shpjegon që vendimet i ka marë partia apo lobet, pavarsisht kë voton populli. Referendumet nuk lejohen akoma edhe sepse nuk ka ligj.
Kritikohet shitja e votës e jo blerja e saj nga partitë si çdo trafikim tjetër ku goditet në fillim trafikantë e mandej konsumatori. Por ligji është tolerant me financimet e partisë me gjoba qesharake.
Po kështu problemi i ekonomisë dhe papunësisë trajtohet si natyror apo faj i njerëzve. Pak kuptojnë se ligjet janë kundër zhvillimit të ekonomisë. Pak e dinë se ligji për Bankën Kombëtare është kundër krijimit të një ekonomie prodhimi. Po ashtu ligjet për prodhimin vendas, biznesin e vogël, bujqësinë, shkollën etj.
Të gjithë shajnë mediat, por pak e dinë se ligjet në fuqi lejojnë dizinformimin, lidhjen me pushtetin e krimin, konfliktin e interesit, përqendrimin dhe vrasjen e konkurrencës.
Të gjithë flasin për transparencën, por pak e dinë se çfarë është transparenca aktive ku qytetarët informohen direkt publikisht e plotësisht pa nevojën e kërkesës. Çfarë kuptimi ka transparenca kur atë e bën vetë kasta e pa asnjë kontroll përgjegjësi e llogaridhënie?
E gjithë jeta politike, ekonomike, gjyqësore, arsimore, shëndetësore, ushqimore etj mbahen në këmbë pikërisht nga ligje antipopullore dhe antikombëtare.
Nëse populli nuk kupton dot difektet e këtyre ligjeve, ai as nuk lufton dot për rregullimin e tyre. Mbajtja e debatit publik në banalitet me sllogane, privon popullin nga kuptimi i probleme reale. Kështu Kasta neutralizon çdo pakënaqësi e protestë në drejtime të padëmshme, duke krijuar iluzionin e demokracisë.
Ja përse duhen intelektualët patriotë në shërbim të kombit e jo korbave!