BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Telefonata qe vrau Kosta Trebicken

Telefonata qe vrau Kosta Trebicken

  •  Botuar: 8 vite më parë

 

Askush nuk e di çfarë ndodhi në atë fushë të verdhë, kur makina e kuqe e Kostës u rrokullis në mënyrë të pakuptimtë, duke i marrë jetën. “Nuk mund të aksidentohej Kosta në atë rrugë të rrafshët. Ai ka bredhur maleve në shi e në borë dhe nuk ka pësuar kurrë asnjë aksident. Nuk ishte i tillë shofer që të mund të humbiste kontrollin atje, në mes të fushës…”, thotë miku i Kosta Trebickës.

Ngjarja

Një punonjës i mirëmbajtjes së rrugëve komunale ishte njeriu i parë që pa trupin e pajetë të Kosta Trebickës të shtrirë në një rrugë, mes një fushe të madhe me bar të thatë, rreth 3 kilometra larg fshatit Lekas. Pas tij, në vendngjarje u mblodhën edhe shumë banorë të tjerë të fshatit më të afërt. Në orën 14:00, policia mori tri telefonata nga zona, që njoftonin të njëjtën ngjarje: Një person rreth 50 vjeç ndodhet i vdekur në mes të rrugës, ndërsa një makinë ndodhet disa dhjetëra metra larg tij, ende e ndezur. Shumë shpejt, nga dokumentet që u gjetën në trupin e viktimës, u konfirmua se ai ishte Kosta Trebicka, një person shumë i njohur në Shqipëri që nga pranvera e këtij viti.

Ata që shkuan të parët në vendngjarje, sikundër edhe ekspertët e policisë, thanë menjëherë se bëhej fjalë për një aksident automobilistik. Sipas tyre, makina me të cilën udhëtonte Kosta Trebicka, një fuoristradë “Nisan Patrol”, kabriolet, në ngjyrë të kuqe, ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur. 53-vjeçari mendohet të ketë tentuar të hidhej nga makina, por është goditur rëndë gjatë rrokullisjes dhe ka mbetur i vdekur në vend. Ndërkohë, makina ka vijuar rrokullisjet nëpër fushë dhe ka qëndruar disa dhjetëra metra më tutje në pozicionin e saj fillestar, ende me motor të ndezur. Askush nuk e ka parë se si ndodhi që Trebicka humbi kontrollin e mjetit, në atë rrugë që shkonte përmes fushës dhe që ai e kishte bërë dhjetëra herë më parë.

Policia

Grupi i parë i policëve që ishin nisur nga Korça arriti në vendngjarje rreth orës 15:20. Puna e parë që u bë ishte rrethimi i vendit dhe mbajtja sa më larg e gazetarëve. Pas pak minutash, rreth orës 15:40, në vend mbërritën me helikopterë dy grupe ekspertësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Mes të mbërriturve nga Tirana ishte zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, si dhe prokurori Sokol Stojani, i cili ka në dorë dosjen e trafikut të fishekëve, për të cilën ka dëshmuar Trebicka.

Familjarët

Bashkëshortja e Kosta Trebickës, Brunela, është njoftuar pak minuta pas ngjarjes dhe ka udhëtuar drejt Korçës së bashku me disa të afërm të tjerë. Vetë Brunela nuk ka qenë në gjendje të komunikojë me mediat dje, ndërsa një i afërm i familjes, me emrin Qamil, ka deklaruar se kanë pak informacione për rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, një nga miqtë e ngushtë të Kosta Trebickës tha dje për gazetën “Shqip” se i ndjeri ishte nisur para dy ditësh për gjah në pyjet e Leskovikut, ku e prisnin disa të njohur. “Ai do të qëndronte disa ditë atje, por e kanë marrë në telefon, nuk dihet se kush, dhe i kanë thënë të kthehet në Tiranë. Ai është nisur menjëherë dhe rrugës ka ndodhur ajo që ka ndodhur”, tha miku i Trebickës, i cili nuk donte të identifikohej.

Deklarata

Nishani nuk flet për aksident

Ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, dha dje në mbrëmje vonë të parën deklaratë zyrtare mbi vdekjen e Kosta Trebickës. Ministri doli në një konferencë për shtyp në orën 20:50, rreth 6 orë pas ngjarjes së rëndë, por nuk tha asnjë fjalë në lidhje me shkakun e vdekjes së Trebickës. Ajo që gjatë gjithë pasdites u konsiderua “aksident automobilistik”, nga ministri u përmblodh me këto fjalë: Është parë një makinë e batuar nga rruga dhe një shtetas i vdekur. Nishani sqaroi më tej se menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur dhe kanë mbërritur drejtues dhe specialistë të Policisë së Qarkut Korçë, të cilët kanë identifikuar dokumentet e automjetit, ku kanë konstatuar se ky automjet i përket shtetasit Kosta Trebicka. “Të ndodhur përballë kësaj situate, me informacionin e marrë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka kontaktuar me Prokuroren e Përgjithshme dhe në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur grupe ekspertësh kriminalistë, mjeko-ligjorë dhe autoteknikë, si dhe një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, për të koordinuar dhe kontrolluar veprimet hetimore”, tha Nishani. Ministri i Punëve të Brendshme nuk harroi të njoftonte se Kryeministri Berisha kishte kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes. “Me marrjen e njoftimit mbi këtë ngjarje, është njoftuar Kryeministri, i cili ka kërkuar angazhimin e të gjithë ekspertëve më të spikatur të të gjitha fushave për hetimin e shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje”, tha ministri.

Amerikanët

Vdekja hetohet edhe nga FBI-ja

Sipas burimeve konfidenciale të policisë së Korçës, bashkë me ekspertët e mbërritur nga Tirana ka qenë edhe një përfaqësues i zyrës së FBI-së, që është atashuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë. Kjo zyrë bashkëpunon me prokurorinë shqiptare në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar dhe nuk ka të drejtë të nisë hetime të pavarura. Por meqenëse zoti Trebicka ishte një shtetas amerikan, një përfaqësues i kësaj zyre i është bashkuar grupit hetimor për t‘u informuar mbi ngjarjen.

Gazeta: Shqip

 

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked