BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Vjedhja e 130 milionë dollarëve nga doganat dhe tatimet

Vjellja e 130 milionë dollarëve nga doganat dhe tatimet

11825711_992691994096080_1605688914939395496_n

Është thënë se arkës së shtetit i mungojnë 130 milionë dollarë nga doganat dhe tatimet, por askush nuk heton se ku kanë përfunduar ato para. Ku janë paratë që mungojnë nga ky krim ekonomik? Kryetari i PD, Basha prej më shumë se një muaji në çdo dalje publike i kërkon Prokurorisë që të hetojë se ku kanë përfunduar këto para që duhet të ishin në arkën e shtetit. Prokuroria hesht. Nuk ka asnjë hetim, ndonëse gjurmët e këtij krimi ekonomik janë të tmerrshme.
Një rritje e re taksave është programuar nga qeveria për muajt e ardhshëm. Një rritje që do të prekë shtresën e varfër të popullsisë ata me paga të ulëta që duhet të paguajnë një taksë që shkon deri në 27 mijë lekë në muaj. Gropa e shkaktuar nga babëzia e Ramës dhe klientelës së tij në Tatime dhe Dogana është e tillë që duhet mbuluar, duke rritur frikshëm taksat për pjesën më të pamundur të shoqërisë, ata me të ardhura të ulëta.
Megjithë krimin ekonomik me vjedhjen në dogana dhe tatime është mjaft i rëndë po kaq e rëndë mund të konsiderohet edhe heshtja e Prokurorisë.
Askush sot nuk heton ish-drejtoreshën e Doganave, Spiropali. ILDKP është e kapur prej kohësh, por tashmë edhe Prokuroria mund të konsiderohet se ka rënë nën thundrën e regjimit të oligarkëve. Nëse do të kishim një hetim të pasurisë së sotme të Spiropalit natyrisht do të kuptonim edhe mekanizmin e vjedhjes gjigante në Dogana. Spiropali nuk hetohet, sepse ka mbështetjen e Ramës dhe këtu Prokuroria stepet. Rama ishte ai që e katapultoi në krye të Doganave dhe kur kuptoi se ajo kishte përfituar shumat prej miliona eurosh nga skemat korruptive e largoi si drejtoreshë të Doganës dhe e katapultoi në një post politik si ai i këshilltares në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Po përse duhej të ngrihej politikisht Spiropali nga Rama, ndërkohë që ky i fundit e dinte shumë mirë skemën e vjedhjes në dogana? Arsyeja është e thjeshtë, sepse Spiropali ka qenë vetëm një shërbëtore që ka zbatuar urdhërat për të favorizuar klientelën për llogari të Ramës.
Rama është personi i cili në një komunikim të ngushtë me njerëzit e tij të besuar kur ka kërkuar largimin e Spiropalit ka dhënë edhe arsyen se përse. Ai ka treguar me 5 gishtat e dorës shumën që Spiropali ka përfituar gjatë 16 muajve në krye të doganave. Pra, 5 milionë euro, sqarojnë burimet të afërta me Ramën.

Skema e vjedhjes së Spiropalit në Dogana

Disa struktura të informacionit i kanë raportuar numrit një të qeverisë se një grup doganierësh, që njihej si “grupi i drejtoreshës” i kishin hapur rrugë kontrabandës, duke përfituar shuma të mëdha në mënyrë korruptive. Kështu, pas shumë vitesh ndërprerje, iu hap rruga zhdoganimeve fiktive të mallrave që vinin nga Kina, ku mendohet se për një maune abuzimi shkonte rreth 30-40 mijë euro. Deklarimi i ndryshëm nga ai i mallit që hyn në Shqipëri, i hapte rrugë një korrupsioni të pastër, ku ishin të përfshirë një zinxhir funksionarësh publikë, nga doganierët e thjeshtë, tek drejtorët e turnit, shefat e degëve e deri në zyrat qendrore në Tiranë. Bashkë me mallrat kineze, nuk mungonte edhe futja e cigareve kontrabandë dhe mjaft shkelje të tjera. Grupi i përfshirë në këto afera ishte aq i mbrojtur sa në një moment të caktuar, kjo masakër në Dogana bëhej thuajse hapur fare dhe me arrogancë. Deri ditën kur kupa jo vetëm u mbush, por filloi të derdhej.
Pjesë e kësaj skeme ishte edhe bashkëshorti i Spiropalit, Bitri. Vjedhja e milionave eurove nga Doganat nxiti edhe lidhjen e dashurisë mes çiftit. Bitri njihej si sekseri i punëve të pista në Dogana dhe realizonte skemën e kalimit të parave jo në arkën e shtetit, por në xhepat e drejtoreshës dhe shefit të saj në qeveri.

Bilanci i Doganave

Në fund të gjashtëmujorit të ardhurat nga administratat fiskale ishin 13.4 miliardë lekë më pak se, plani i periudhës. Sipas të dhënave të detajuara, në këtë mosrealizim 68% është pesha e doganave (-9.1 mld lekë) dhe 32% pesha e tatimeve (-3.4 mld lekë). Doganat mblodhën 12.2% më pak se, plani me 9,1 miliardë lekë të munguara.
Sipas të dhënave që publikoi Ministria e Financave për muajin janar, doganat shqiptare kanë arkëtuar 342 milionë lekë më pak sesa janari i vitit të kaluar, ose 3.7% më pak. Një tjetër çështje që ka shkaktuar pakënaqësi për punën e Spiropalit ka qenë edhe një numër i madh denoncimesh për korrupsionin në portalin  “Stop Korrupsionit”. Aty flitet për mangësi dhe për emërime nepotike.

U zhdoganuan 800 ton cigare më pak

Importet e cigareve ishin vetëm 840 ton për 5-mujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një rënie prej 8.4% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të Ministrisë së Financave.
Ky është niveli më i ulët i importeve në 15 vjet, që nga viti 2000, kur hynë gjithsej në Shqipëri 795 ton cigare. Më pas, importet u rritën ndjeshëm, për të arritur rekordin në vitin 2006, me gati 1600 ton.
Që nga 2013, importet e cigareve kanë shënuar një rënie të ndjeshme, që përkon dhe me periudhën e fillimit të rritjes së akcizës për paketë, që u shtrenjtua me 20 lekë për paketë në vit për të arritur aktualisht në 110 lekë për paketë.
Ndërsa ky shtrenjtim kishte për qëllim, sipas deklaratave të atëhershme të ministrit të Shëndetësisë, që të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, kompanitë pohojnë se, në bazë të studimeve të tyre, rezulton se konsumi nuk ka rënë.
Sipas studimeve të kompanive, importet në vitin 2014 ishin rreth 2.9 miliardë fije, ndërsa këtë vit parashikohen 2.8 miliardë fije. Konsumi total mesatar në Shqipëri vlerësohet rreth 3.5 miliardë fije bazuar në importet mesatare të disa viteve rresht, përqindjes së konsumatorëve duhanpirës dhe numrit të cigareve në ditë, duke lënë në këtë mënyrë “zbuluar rreth 20% të konsumit”. Rreth 40% e popullsisë është duhanpirëse.
Rënia e importeve të cigareve është një nga arsyet e rënies së TVSH-së në dogana, që ranë me 2.9 miliardë lekë me bazë vjetore për 5-mujorin e parë 2015. Edhe të ardhurat nga akciza në doganë, megjithëse janë 1.4 miliardë lekë më shumë se fakti i 5-mujorit 2014, janë 4.4 miliardë lekë më të ulëta sesa planifikimi i financave në fillim të vitit, me optimizmin që vinte nga rritja e akcizës për disa produkte, si për shembull, cigaret.

Zhdoganimi i karburanteve rënie historike me 21%

Zhdoganimet e karburanteve njohën nivelin më të ulët të tre viteve të fundit. Deri në muajin prill, sipas të dhënave nga Ministria e Financave importet e karburanteve shënuan një rënie prej 21 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkak kryesor për këtë rënie mbetet ulja e konsumit në tregun vendas, kryesisht nga çmimet e larta të hidrokarbureve në vend. Për shkak të barrës së lartë fiskale, Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë rajonale me çmimet e naftës, të cilat në vendet fqinjë janë 20 për qind më lirë se, në tregun vendas. Kjo diferencë në çmime ka bërë që mjetet e tonazhit të rëndë si autobusët, kamionët etj., të furnizohen në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoni. Kjo ka ndikuar edhe konsumin e hidrokarbureve në tregun vendas me gati 13 mijë tonë më pak se, në janar–shkurt 2014. Rënia e xhiros këtë vit është konfirmuar edhe nga pikat e shitjes me pakicë të hidrokarbureve. Para pak ditësh INSTAT pohoi se, tregtia me pakicë e karburanteve ka shënuar ulje në tremujorin e fundit të vitit 2014 me 0.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të INSTAT mbi ecurinë e tregtisë me pakicë. Ndërsa në krahasim me tremujorin e tretë të 2014, ulja ishte edhe më e madhe, 11 për qind. Nga ana tjetër të ardhurat nga tatimet dhe doganat rezultojnë të jenë në nivelin më të ulët të shënuar ndonjëherë në një tremujor. Duke ju referuar të dhënave që vijnë nga vetë Ministria e Financave të ardhurat prej këtyre zërave rezultojnë të jenë rreth 8.6% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në të vërtetë, dobësitë e shfaqura qysh vitin e shkuar në mbledhjen e të ardhurave doganore arritën kulmin në muajin mars, ku të ardhurat ranë me 32,5% në raport me planin, duke shënuar një rekord në mosrealizimet e njohura deri më tani. Rënia është e madhe edhe krahasuar me faktin e vitit që shkoi. Në muajin mars 2015 doganat grumbulluan 14.7 për qind më pak të ardhura se një vit më parë. Si tremujor, të ardhurat shënuan rënie 11.5 për qind në raport me planin e 2015 dhe 6.9 për qind krahasuar me faktin e 2014.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked