BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Zbulimi i konfliktit si vetëdijësim shoqëror

Akti i parë që bën një ekzorçist ndaj një personi të poseduar nga demoni, është pikërisht thirrja “shfaqu!” Vetëm pasi demoni të ketë nxjerrë fytyrën, të ketë një emër, mund të nisë beteja për çlirimin e viktimës.

Kjo metaforë e fortë, shërben për një reflektim të thellë mbi shpirtin e epokës ku jetojmë. Dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve nuk kanë reshtur, por për herë të parë nuk shihet përgjegjësi. Për herë të parë pushteti i vërtetë fsheh fytyrën e bashkë me të konfliktin.

Nëse duam të normalizojmë jetët e miliona shqiptarëve, duhet të rizbulojmë këtë konflikt social mbajtur të fshehur. E kishin kuptuar grekët, (përjetësuar në shprehjen e Heraklitit: lufta (polemos) është babai i botës) se jeta në këtë planet karakterizohet nga kontradikta të thella. Por pikërisht këto kontradikta bëjnë të mundur jetën, jo duke i shuar por duke zgjidhur këto konflikte herë pas here. Ishte ky misioni i tragjedisë greke (si formë paideia=edukimi) për të ndërgjegjësuar qytetarët ndaj paradokseve të jetës dhe zgjedhjeve që duhet të bënin për të siguruar mbijetesën e tyre dhe të species humane.

 

Konflikti nuk është vetëm social, por dhe konflikt i brendshëm individual ashtu si Psikologjia shpjegon. Njeriu nuk ka një koherencë të brendshme por tension të vazhdueshëm mes të qënurit funksionar i species dhe subjektivitetit së tij, dëshirave dhe mundësive reale të tija. Kalimi në moshë madhore bën të mundur që Njeriu të zgjidhë vazhdimisht konfliktet e brendshme të tija. Mohimi i këtij konflikti apo mos zgjidhja e tij, përbëjnë patologji të shëndetit mendor.

Pra, konflikti është eksperiencë universale e Njeriut dhe shoqërisë njerëzore. Ashtu si njeriu gjen mekanizma për zgjidhjen e këtij konflikti të brendshëm, ashtu dhe shoqëria historikisht është përpjekur për të krijuar mekanizma për menaxhimin konstruktiv të konfliktit social. Përballë një bote të fundme dhe dëshirave të pafundme, njerëzit duhet të gjenin mekanizma për harmonizimin e nevojave dhe këndëvështrimeve të ndryshme, sepse jënë të “dënuar” të jetojnë së bashku.

 

Ky rol emancipues, në radhë të parë i atribuohet gjuhës, si ajo teknikë për të të kapërcyer konfliktin  duke ndërtuar dialogun apo polilogun brenda komunitetit (polis-it). Maturimi i një eksperience të tillë të zgjidhjes së konflikteve me anë të arsyes (logosit grek apo bon sensit romak) përbën dhe zanafillën e së drejtës, në fillim si e drejtë zakonore e mandej pozitive (shtetërore). Pra e drejta lind si nevojë e zgjidhjes së konflikteve dhe ekziston vetëm për zgjidhjen e tyre (Non c`è concordia senza discordia). E drejta morri përsipër jo vetëm zgjidhjen e konflikteve aktuale, por dhe atyre potenciale në të ardhmen, duke ndërtuar “polisin” me ligje të parashikueshme si “kozmosi”. Kjo nevojë për siguri e njeriut, bëri të nevojshmeb ngritjen e kulturës, institucioneve dhe së fundmi shtetin e së drejtës, si enti më racional për ndërtimin e paqes sociale.

Por, e drejta nuk ka qenë i vetmi vizion për zgjidhjen e konflikteve. Ajo ka pasur e ka konkurrentë të tjerë, si feja, ushtria, apo ekonomia. Shteti i së drejtës, pas shumë betejash, arriti t’iu mbivendosej këtyre fenomeneve, jo duke i zhdukur (si eksperienca komuniste) por duke i rregulluar brenda Kushtetutave moderne e sovrane.

Deri tani.

Ajo që rrezikon më shumë shtetin e së drejtës sot, është pikërisht kjo e fundit: ekonomia!

Përse?

Ekonomia sot, (ndryshe nga vizioni aristotelian “oikonomia”) nuk ka për bazë nevojat por fitimin individual. Për këtë arsye ajo parashikon si mekanizëm për zgjidhjen e çdo konflikti, sistemin e çmimeve (mbrojtur me kaq zell prej shkollës klasike që nga Smith deri tek Hayek). Kjo nënkupton të njëjtën forcë mes palëve (ose autonomia negociale në terma juridikë).

Psh, një blerës mund të vendosë lirisht nëse dëshiron të blejë apo jo një kilogram domate tek shitësi. Pushteti i shitësit në këtë rast, shoqërohet me pushtetin e blerësit për ta blerë apo shkuar në një dyqan tjetër. Pra dy pushtetet anullojnë njëri-tjetrin duke lejuar kapërcimin e konfliktit nëse ndodhin brenda mekanizmave të një tregu të lirë.

 

Ky është një mekanizëm efikas për zgjidhjen e shumë konflikteve interpersonale. Por tregu i lënë në vetvete, (laissez-faire) nuk qëndron i lirë sepse akumulimi endemik i kapitalit në pak duar shoqërohet me pozicione dominuese e deformuese. Është kjo arsyeja, si thamë dhe në fillim mbi shtetin e së drejtës, sepse tregu konsiderohet e mirë publike dhe prandaj ligjet e shtetit (res publica) duhet të ndërhyjnë që tregu të mbetet vërtet i lirë e jo të zaptohet nga një pakicë oligarkike (interesa individualë e korporative). Tregu nuk përbëhet vetëm prej atyre që prodhojnë por dhe ata që konsumojnë, jo vetëm nga kapitali por dhe nga puna. Prodhuesi nuk prodhon për qejf por për të shitur kështu që është i interesuar që masat (punëtorët) të kenë rroga të larta që të mund të blejnë prodhimet e tij.  Harmonizimi i këtyre faktorëve  bëjnë që tregu ti shërbejë mirëqënies së përgjithshme ashtu si shteti i së drejtës kërkon ndërtimin e e paqes sociale. Në këtë mënyrë tregu (pabarazia ekonomike) dhe demokracia (barazia politike) mund të bashkëjetojnë pa shumë lëkundje të mëdha, vetëm brenda shtetit të së drejtës, si dy anë komplementare të së njëjtës medalje.

 

Ishte kjo arsyeja që Kushtetutat e pas luftës së dytë botërore, (model edhe i Kushtetutës aktuale shqiptare) nuk e shohin më rendin juridik, thjesht si sovrastrukturë pasqyruese e  rendit ekonomik-social. Ndërtimi i shtetit social dhe mbrojtja e Dinjitetit të Njeriut lejuan ndërhyrjen e rendit juridik mbi raportet ekonomike-shoqërore duke bërë që ato të zhvillohen në përputhje qoftë me lirinë individuale ashtu dhe me dobishmërinë publike. Pra shteti zhvilloi një sovranitet të plotë politik e ekonomik, të brendshëm dhe të jashtëm. Shteti ishte garant i sigurimit të paqes dhe zgjidhjes së konflikteve të një shoqërie pluraliste e demokratike.

 

Ajo çfarë po ndodh sot është përmbysja e këtij vizioni. Nuk është shteti që rregullon ekonominë, por e kundërta. Pasi elitat financiare morën në kontroll ekonominë, iu duhej marrja në kontroll e shtetit (monopol i forcës) për të ruajtur privilegjet e tyre. Me një ADN të re, shteti ndalon së qenuri mbrojtës i interesit publik e kthehet në instrument për mbrojtjen e privilegjeve të një elite ekonomike. Të drejtat dhe garancitë kushtetuese mbeten letër e vdekur nëse mekanizmat e shtetit zëvendësohen  me ato të tregut. Përmbysja e rendit ligjor dhe përsëritja në shkallë epërore e të njëjti vizion të 1800-ës:  mbivendosjes së ekonomisë (raporteve të forcës së një elite) mbi shtetin e së drejtës (interesi publik).

Ndërsa liberalizmi klasik, kërkonte një distancë mes shtetit dhe ekonomisë, neoliberizmi kërkon kolonizimin e shtetit prej ekonomisë dhe elitave ekonomike. (si kishte parashikuar Foucault).

Çfarë do të thotë kjo gjë?

Boshatisjen graduale të shtetit prej objektivave të sanksionuara në Kushtetutë dhe delegimit të tyre tregut, zaptuar nga një elitë transnacionale. Boshatisja e shtetit prej përmbajtjes së tij shoqërohet dhe me degradimin e formës ose institucioneve juridike. Politika nuk shihet më si pjesëmarrje e qytetarëve në çështjet e vendit (polis-it) por si një treg, ku triumfon forca e parasë. Ndërsa qytetarët ia lënë vendin konsumatorëve që blejnë (votojnë) produktin, por nuk ndërhyjnë dot në proçesin e prodhimit të tij, lënë në duart e partive dhe lobeve pas tyre. (Shih artikullin: http://levizjashqipon.org/lajme/lindje-e-jo-pjellje-e-nje-partie-te-re/ ). Pra tregu përmbyt politikën (demokracinë dhe shtetin) duke konformuar çdo raport në shëmbëlltyrën e raporteve të forcës prej një elite ekonomike-financiare-mediatike.

 

Modelimi i gjithë botës dhe jetës, sipas raporteve ekonomike të forcës, krijon iluzionin tek masat se kjo është një gjendje natyrore. Dhe dihet ndaj natyrës (tërrmetit, shiut, diellit) nuk mund të luftosh por të fshihesh.

Por kështu nuk është!

Kështu nuk ka qenë kurrë!

Ekonomia është fenomen social dhe ligjet e saja nuk janë natyrore, por forcë e diktuar nga një pakicë që ka pushtet. Deri dje kjo pakicë jetonte brenda kufijve juridikë të shtetit, i cili dilte garant për zgjidhjen e konfliktit social në interes të ruajtjes së paqes kombëtare. Triumfi i globalizimit, bëri që elitat e secilit vend të krijonin një aleancë transnacionale, duke gërryer kufijtë juridikë që vendosnin shtetet. Hapësira e lënë nga shtetet, zihet nga aktorë ekonomikë transnacionalë duke privatizuar të drejtën ndërkombëtare publike. Kështu nuk janë më shtetet, që në mbrojtje të interesit të tyre ekonomik kombëtar, hartojnë marrëveshje me shtetet e tjera. Jo, janë organizma ndërkombëtarë (FMN, BB, OBT, BE) që i diktojnë shteteve si të vetme ligje, ato private të ekonomisë dhe shkëmbimit të lirë. Kush del kundër këtij vizioni, anatemohet, sulmohet dhe denigrohet (ashtu si Karl Shmid, kishte parashikuar tek “Nomos”).

 

Duke çliruar ekonominë nga kufijtë kombëtarë, automatikisht ke anulluar garancitë për zgjidhjen e konflikteve sociale. Zgjidhje që mund të realizohet vetëm brenda shtetit demokratik, sepse nuk ka një popull global ashtu sikundër nuk ka një shtet global. Si pasojë e çmontimit të shtetit të së drejtës, (nga jashtë dhe nga brenda) prodhohet një ashpërsim i konflikteve sociale, rritjes së kostos së jetesës, zhdukjes së shtresës së mesme, rritjes së pabarazisë, papunësisë, uljen e rrogave, rritjen e taksave, borxhit publik, privatizimin dhe shtrenjtimin e shërbimeve publike, etj.

Por nëse nga një anë ka një thellim të konfliktualitetit social, nga ana tjetër kjo nuk shoqërohet me një ndërgjegjësim social për zgjidhjen e tij.

Përse?

Suksesi spektakolar i neoliberizmit nuk qendron shumë në strukturën e tij sesa në sovrastrukturën (ideologjinë e tij). Mënyra më e mirë për të fituar një betejë, është të mos luftosh fare, duke fshehur konfliktin real ose duke e zëvendësuar me konflikte të rreme.

 

Ky operacion mundësohet falë teknikave tashmë  të kolauduar prej mediave, akademikëve dhe ojf-ve të kontrolluara financiarisht nga vetë sistemi. Çmontimi i kësaj ideologjie perverse kërkon një përqasje kritike dhe multidisiplinore. Vetëm kështu mund të zbulojmë konfliktet e vërteta, kuptojmë mekanizmat e krijimit dhe zgjidhjes së tyre.

 

Për njeriun e thjeshtë, papunësia apo rrogat mjerane duken si fenomene natyrore sepse ligjet e tregut kanë vendosur kështu. Tregu është një entitet metafizik, impersonal ndaj së cilit nuk mund të luftosh, aq më shumë që tregu tani është global. Shteti shqiptar, njësoj si shtetet e tjera të kolonizuara, nuk mund të ndërhyjë në ligjet e ekonomisë. Ai duhet të lejojë që forcat ekonomike të shfrytëzojnë pasuritë kombëtare dhe popullin shqiptar me rroga afrikane.

Por vetë vendet e zhvilluara nuk u pasuruan në këtë mënyrë (shih Chang – Bad Samarritans). Në pamundësi (financiare e njohuri) të aktorëve privatë, ishte ndërhyrja shtetërore që krijoi impiantin industrial, infrastrukturën, bujqësinë intensive të këtyre shteteve. Vendet e varfra nuk mund të dalin në këtë garë globale pa mbrojtur e ngritur më parë ekonomitë e tyre kombëtare. Receta neoliberiste do të thotë shkatërrim i kombit dhe boshatisja e popullsisë. Është kjo që po i ndodh Shqipërisë falë kësaj kastë barbare dhe heshtjes së injorancës së masave.

 

Zbulimi i konfliktit në këtë drejtim do të thotë, që puna është një e drejtë dhe jo mall. Ndryshe nga domatet, këtu punëtori nuk ka mundësi zgjedhjeje se vdes. Prandaj dhe ai nuk arrin dot të mbrojë interesin e vet si subjekt i dobët që është. Prandaj, duhen rithemeluar Sindikatat për negocimin e interesit të punëtorëve dhe punëdhënësve për rroga dhe kushte dinjitoze.

 

Ideologjia neoliberiste, falë dhe kontributit të intelektualëve organikë, ka kaluar një koncept panacea post-konfliktual. Të dehur me një paqe të rremë, kudo trumbetohet se nuk ka më konflikt social sepse nuk ka më ndryshim mes punëtorëve dhe kapitalistëve. Tani edhe punëtorët mund të kursejnë paratë e tyre dhe ti investojnë si të dëshirojnë. Nëse nuk ka konflikte, si rrjedhojë nuk ka nevojë as për sindikata. Kjo llogjikë antillogjike duket e thjeshtë dhe prandaj përtypet lehtësisht nga masat lënë në injorancë. Por kursimet e vogla nuk kanë atë rol që ka kapitali i madh i cili dikton rregullat e ekonomisë, investimet, interesat, çmimet dhe rrogat. Brenda raportit të punës konflikti nuk zhduket deri sa të jetë interesi i pronarit të paguajë sa më pak punëtorin dhe interesi i këtij të fundit të kërkojë një rrogë dinjitoze.

 

Nëse shteti social kishte për qëllim punësimin e plotë (politika keynesiane) kjo i jepte fuqi negocimi më të madhe çdo punëtori. Por neoliberizmi (Hayek-Friedman) shpikën papunësinë normale e natyrore të ekonimsë laissez-fare. Kuptohet që sa më shumë papunësi të ketë aq më e vështirë bëhet për punëtorin negocimi i kushteve dhe rrogës. Zbulimi i konfliktit në këtë mes, ka të bëjë me detyrimin e shtetit të promovojë ato sektorë që krijojnë vende pune dhe jo të mbrojë monopolet e importit që vrasin vendet e punës.

 

Edhe përqendrimi i parasë në pak duar, për njeriun e rrugës dhe blerësit e çertifikatave shkollore, duket si një fenomen normal e natyror i tregut. Pak kuptojnë, se kontrolli i kapitalit është prerogativë e sovranitetit monetar të vetë shtetit. Pra, nëse një shtet do kontrollohej nga qytetarët e tij, ai do ndërhynte duke shpërndarë ose duke krijuar monedhë të re për investime prodhuese dhe rritjen e punësimit. Konflikti në këtë rast qendron mes atij 1% që ka akumuluar kapitalin dhe 99% që kërkon përdorimin e këtij kapitali për investime prodhuese, infrastrukturë, shkollë e shëndetësi. Paraja nuk ka vlerë në vetvete. Ajo e merr vlerën nga aftsitë prodhuese të një kombi. Nëse Shqipëria ka burime për tu zhvilluar duhet ti vërë menjëherë në në punë këto burime. Sigurisht zgjidhja e këtij konflikti në favor të popullit shqiptar, do godiste privilegjet e lobeve të brendshme dhe të huaja (si kam shpjeguar në këtë artikull: http://levizjashqipon.org/lajme/pse-ska-pune/ )

 

Shembullin e domates mund ta marrim si kundërshembull për çdo interes që nuk rregullohet dot optimalisht nga tregu. Kështu shëndeti i njeriut nuk mund të rregullohet nga spitale private. Nëse besojmë tek dinjiteti i Njeriut, si thotë Kushtetuta që kemi votuar, mjekimi nuk mund tu sigurohet vetëm atyre që kanë mundësi financiare. Nga ana tjetër, mjekësia publike ka për qëllim jo vetëm mjekimin por dhe parandalimin e sëmundjeve, për të pasur një popullsi të shëndetshme dhe prodhuese. Mjekësia private, për nga natyra e saj e fitimit, është e interesuar krejt për të kundërtën. Pra këtu ka një konflikt të frikshëm. Interesi publik mund të mbrohet vetëm nga shteti, nëse ai kontrollohet nga populli e jo nga lobet ekonomike. Ja përse prej 27 vitesh rrënimi i spitaleve publike është shoqëruar me lulëzimin e atyre private.

 

Të njëjtën gjë mund ta themi për arsimin, (http://levizjashqipon.org/lajme/pse-rrezuan-shkollen/ ) ku çiljanët dhe sorosianët, i mbushin mendjen publikut që shteti është mafioz prandaj duhet të privatizohet gjithçka. Po, kush do mbrojë interesat e shqiptarëvë? Qili apo Manja, Sandri apo Kokëdhima? Nga ana tjetër nuk është se lulëzimi i spitaleve apo shkollave private, zgjidhën problemin e arsimit apo shëndetësisë. Kanceri ka përfshirë çdo sektor duke siguruar miliarda për një pakicë e mjerim për shumicën. Interesi publik ka mbetur jetim dhe është përdhunuar kudo, që nga arsimi, shëndëtësia, trashëgimia kulturore, pyjet, detet, lumenjtë, industria, e çdo gjë që i shërben mirqënies së shumicës së shqiptarëve.

 

Sistemi jo vetëm që fsheh konfliktin real, por shpik pa fund konflikte fallso. E tillë është “lufta e egër” që kasta luan në parlament kundër njëri-tjetrit. Por asgjë nuk ndryshon, të gjithë pasurohen mbi gjakun e popullit dhe askush nuk dënohet prej 27 vitesh. Të gjitha partitë (nëse mund të quash kështu brigadat plaçkitëse) ndjekin vetëm dinamikën e kapitalit duke zbatuar porositë e lobeve brendshme/huaja në privatizmin e pasurive publike, përqendrimin e pasurisë në sa më pak duar, goditjen e shtresës së mesme, binzesit të vogël e prodhues, punëtorëve, studentëve, bujkut, pensionistit e çdo kategorie të dobët.

Ky konflikt falls shpikur nga kasta lart(tezë-antitezë e kontrolluar për të pasur një sintezë po të kontrolluar) trasmetohet poshtë tek masat që shqyejnë njëri-tjetrin për flamurin e partisë. Po përsëri, pavarsisht se cila parti vjen në pushtet, gjendja e tyre e mjerë nuk ndryshon e nuk do ndryshojë sepse konflikti që ata luftojnë është një konflik i rremë, që fsheh konfliktin e vërtetë social.

 

Ja përse Normalizimi i vendit kalon nëpërmjet zbulimit të konfliktit të vërtetë në mënyrë që të kemi zgjidhje të vërtetë. Ka vetëm një konflikt. Ai i 1% që zotëron pushtetin fnanciar, politike e mediatik, kundër interesave të punëtorëve, biznesit prodhues, konsumatorëve, kursimtarëve të vegjël, studentëve, grave, pensionistëve dhe çdo subjkekti të dobët. Këto interesa do gjejnë zgjidhje jo duke zëvendësuar shtetin  me tregun (si thonë çiljanët dhe sorosjanët) por krejt e kundërta. Duke e çliruar shtetin nga duart e lekaristëve dhe ia kthyer popullit sovran. Vetëm një shtet i tillë togëzuar në popull, ku vendimet nuk i merr më partia por direkt qytetarët me referendume, do të jetë në gjendje të zgjidhë konflitin social dhe sigurojë zhvillimin e vendit dhe paqes kombëtare.

 

Ky vetëdijësim me anë të zbulimit të konflikti social, duhet të jetë dhe misioni i çdo lëvizje politike që lind nga interesat e popullit e jo që pillet nga sallonet e lekaristëve.

……

Shkruar nga Dr. Ledian Droboniku

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked