BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Zbulohen milionat e zyrtarëve

 

 CorruptionZbulohen milionat e zyrtarëve
• ILDKPKI denoncon kryebashkiakët e Poliçanit e të Gramshit si dhe kryetarin e komunës së Bërzhitës
• Nuk deklaruan llogaritë bankare, bizneset, vilat, apartamentet dhe makinat
Suela Topi
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) denoncoi në Prokurorinë e Përgjithshme tri pushtetarë vendorë, të cilët kanë dhënë deklarime të rreme, apo kanë fshehur pasuri për të cilat nuk dihet burimi. Në denoncimin e bërë publik nga ILDKPKI-ja, akuzohen kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici si dhe kryetari i komunës së Bërzhitës, Genci Drita. Sipas të dhënave të publikuara nga instituconi që drejtohet prej inspektorit të përgjithshëm, Shkëlqin Ganaj, pushtetarët vendorë kanë fshehur nga deklarimet e përvitshme të pasurisë llogari të shumta bankare, pasuri të paluajtshme si asete të tjera që llogariten në milionë euro.

Milionat e kryebashkiakut të Poliçanit

Adriatik Maliq Zotkaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Poliçan, sipas verifikimeve të kryera, mbi deklaratat e interesave private dhe të dhënave të siguruara gjatë proçesit të kontrollit të plotë nuk tregoi pasuritë e mëposhtme: Ka fshehur pasurinë Nr.12/107, në ZK 3019, Vol 12 fq122. Ka fshehur pasurinë nr.24/2 në ZK 3666, Vol, fq 221, në emër të firmës “Perla e Tomorrit”, me administrator Adriatik Zotkaj, me sipërfaqe trualli 5000m2, mbi të cilën është ndërtuar objekti me sip 2200 m2, sipas lejes së ndërtimit nga KRRT-ja, Qarku Berat, vendimi Nr.5/18 dt.25.07.2008, ku del si financues Adriatik Zotkaj. Zotkaj ka fshehur pasurinë nr.12/98, në ZK3019, pasurinë me Nr.197/2, në ZK 3666, vol 1, fq 228 me sipërfaqe 1100 m2 rregjistruar sipas Kontrates së shit-blerjes nr.1063 rep, 632 kol dt.05.09.2012, ka fshehur automjetin me targë AA550 IB, Autoveture AUDI (A6) vit prodhimi 2005, automjetin me targë AA540 FC, tip NISSAN (Patrol), vit prodhimi 2000, i rregjistruar në emrin e të birit Maliq Zotkaj, eskavator me Zinxhirë tipi 441BMD marka Laltesi shasi nr.239/44, në shumën 50.000 euro i blerë sipas Kontratës Nr.103 rep, nr.45 kol dt. 13.01.2011.

Kryebashkiaku i Poliçanit ka mungesë burimesh të ligjshme financiare për shlyerjen e menjëhershme të kredisë në dt.19.02.2009, Raiffeissen Bank, mungesë burimesh financiare për shlyerjen e kredive të marra në shumat 50.000 Euro (viti 2008), 75.000 Euro (viti 2011) dhe 30.000 Euro (viti 2012), me të ardhurat e deklaruara prej tij dhe të përgjigjeve të konfirmuara nga bankat. Ai ka fshehur të ardhurat e përfituara nga lidhja e kontratës me kompaninë Vodafone Albania, për dhënie me qera të një sipërfaqeje toke prej 1100 m2 për vendosje të stacionit radio ‘Site 643A Tomorrica’ ku Adriatik Zotkaj dhe Mirela Zotkaj kanë nënshkruar si pronarë të tokës. Ka fshehur llogarinë në Union Bank ku i derdhen të ardhurat nga qeraja me kompaninë Vodafone Albania. Ka bërë deklarim të rremë lidhur me faktin që është larguar si administrator i shoqërisë ABG shpk, duke vijuar rol aktiv në këtë biznes, lidhje kontratash për blerje asetesh për shoqërinë si dhe marrje kredish në Bankën Union, garantues/ dorëzanës, në Bankën Societe Generale, Alpha Bank, etj. Ai nuk ka deklaruar shitjen e 65 % të aksioneve të shoqërisë ABG, shitje e realizuar në vitet 2008-2009.

Zotkaj, biznes si kryebashkiak

Zotkaj ka vijuar të zotërojë 35% të aksioneve në shoqërinë ABG shpk Poliçan, në kundërshtim me nenin 29, pika d, e Ligjit Nr.9367 i dt.07.04.2005 (i ndryshuar), sipas të cilit Kryetari i Bashkisë, nuk mund të zotërojë në mënyrë aktive, aksione ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare që ushtron veprimtarinë brenda territorit të juridiksionit të tyre. Sipas ILDKPKI-së ka fshehje, deklarim të rremë dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare për shumën 1.000.000 euro në Societe Generale Albania. Sipas inspektoriatit, me veprimet e kryera, duke shfrytëzuar pozitën si Kryetar Bashkie, Zotkaj ka përfituar, të ardhura dhe favore të ndyshme, drejtpërdrejtë apo tërthorazi, personale apo në favor të shoqërisë ABG, ku është aksioner i shumicës.

Garancitë si person publik për kreditë e marra pranë bankave lokale, ushtrimi i aktivitetit në territorin që mbulon Bashkia që ai drejton, janë elementë përfitimi të padrejtë dhe elementë të shpërdorimit të detyrës prej tij. ILDKPKI-ja vendosi që të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar fillimin e procedimit penal ndaj Adriatik Zotkajt, me funksion Kryetar i Bashkisë Polican, për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga nenet 257/a/2, neni 248 neni 287, të Kodit Penal.

Zotkaj, edhe “qytetar nderi” i Poliçanit

Adriatik Maliq Zotkaj (966), kryetar i bashkisë Poliçan, e zotëron këtë post që prej vitit 2004 ku fitoi mandatin e tij të parë dhe më pas në vitin 2007 fiton mandatin e tij të dytë, duke kandiduar nga radhët e PBDNJ-së. Njihet më së shumti për shërret e tij, siç ishte rasti i pak ditëve më parë, kur u denoncua nga një mjek për dhunë në spital. Ai është shpallur “Qytetar Nderi” i qytetit të Poliçanit, se ka zbatuar projekte moderne dhe ka arritur të sjellë një frymë të re në qytet, duke përmisuar jetesën një provincë të humbur.

Kryekomunari Genci Drita, përsëritës në fshehjen e pasurisë

Genc Drita, me funksion Kryetar i Komunës Bërzhitë, Qarku Tiranë, për vitet 2011, 2012 dhe 2013, ka fshehur pasuritë dhe në mënyrë të përsëritur përpara inspektorëve të ILDKPKI-së. Pas verifikimeve të kryera, mbi deklaratat e interesave private dhe të dhënave të siguruara gjatë proçesit të kontrollit të plotë, u konstatuan: Fshehje e kontratës së sipërmarrjes Nr.90 Rep/20 Kol, datë 23.01.2013, për shtëpi banimi, vilë model “Petit Bordeaux” në shumën 396.585 euro; fshehje të shlyerjes së kredisë në Alfa Bank në shumën 1.300.000 lekë ne vitin 2011, për vitin 2012 në shumën 35.106 lekë dhe për vitin 2013 në shumën 662.826 lekë; fshehje të shlyerjes së kredisë në Tirana Bank në shumën 8.500 euro për vitin 2013; Deklarim i rremë dhe mungesë burimesh financiare për shumën 16.320.000 lekë; Deklarim i rremë për të ardhurat në shumën 685.705 lekë.

Drita, sipas Inspektoriatit, ka ushtruar detyrën në kushtet e konfliktit të interesit, lidhur me vendimmarrjen Nr.21, datë 26.03.2011 për miratimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit të godinës së banimit me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 3.517 m2. Për këto, bazuar në nenin 281 të K.Pr.Penale, ILDKPKI- ja ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar fillimin e proçedimit penal ndaj subjektit Genc Drita, me funksion Kryetar i Komunës Bërzhitë,Qarku Tiranë, për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga nenet 257/a/2, neni 248 dhe neni 287, të Kodit Penal.

Për Genci Dritën, ILDKPKI-ja paraqiti një tjetër kallëzim penal në organin e Prokurorisë më datë 05.09.2015. Sipas saj, ai bëri deklarim të rremë të pasurisë në shumën 1.500.000 USD dhe për shumën 150.000 Euro. Fshehu kontratën e sipërmarrjes, e lidhur me “Merkaj” sh.p.k, për 2(dy) apartamente banimi me sip. ndërtimore 107.88 m2 dhe sip. ndërtimore 88.49 m2, me vlerë 125.280 Euro dhe sipërfaqen e truallit 1000 m2, në rrugën automobilistikeTiranë- Elbasan dhe po ashtu burim financiar i dyshimtë dhe pa dokumentacion justifikues ligjor për të gjitha pasuritë e deklaruara prej tij, etj…, për deklaratat e pasurisë deri më 31.12 2010. Kallëzimi i datës 13.02.2015 i përket deklaratave të pasurisë të subjektit Genc Drita për vitet 2011, 2012 dhe 2013.

Në shtator 2014, Genci Drita, kryekomunari i Bërzhitës dhe shefi i Tatim- Taksave të kësaj komune Armando Burri, dolën para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku u njohën me masën e “arrestit në burg” për akuzën e korrupsionit. Gjatë seancës gjyqësore, Drita dhe Burri, nëpërmjet avokatëve të tyre mbrojtës, kërkuan caktimin e një mase më të lehtë sigurimi, kërkesë kjo që u refuzua nga gjykata. Sipas përfaqësuesit të akuzës, Drita dhe Burri i kërkuan një qytetari sasinë prej 4500 euro në këmbim të një leje ndërtimore. Përveç kësaj kryekomunari i Partisë Demokratike në Bërzhitë, ishte akuzuar për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, që llogaritej në rreth 2 milionë dollarë, qindra mijë euro, dy aparatamente dhe truall. Ai u lirua nga qelia, natën e ndërrimit të viteve, duke iu dhënë masa e arrestit shtëpiak, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda tha se i pandehuri ka patur arsye shëndetësore.

Kryebashkiaku i Gramshit tentoi që të korruptojë inspektorët

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, pasi përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të Dritan Abedin Bicit, me funksion Kryetar i Bashkisë Gramsh, konstatoi shumë probleme si: Fshehje e pasurisë, apartament banimi, Gramsh; fshehje e pasurisë, apartament banimi, në Tiranë; fshehje e pasurisë, “Dyqan i artikujve të ndryshëm’’, në deklarimin ’Para fillimit në detyrë 2011’’; mosjustifikim me burime të ligjshme financiare dhe dokumentacion ligjor i pasurisë së deklaruar në deklaratën ‘’Para fillimit në detyrë 2011’’ në shumën 12.483.000 lekë; fshehje e transaksioneve bankare të konfirmuara nga Raiffeisen Bank, në shumën 3.130.276 lekë në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2011 dhe 2013’’; fshehje e llogarisë bankare në Raiffeisen Prestige në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2013’’ në shumën totale 1.347.276 lekë dhe mosmbulimi i saj me të ardhurat e realizuara dhe deklaruara në këtë periudhë; deklarim i rremë i burimit të shumës 950.000 lekë për transaksionet ‘’depozitime cash’’ në Raiffeisen Bank në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2011’’; fshehje e llogarisë bankare në Raiffeisen Bank, në emër të bashkëshortes së subjektit, me gjendje 243.687 lekë në 31.12.2011 dhe 495.840 lekë në 31.12.2012.

Përveç këtyre, Dritan Bici ka tentuar dhënien e një sasie parash cash, në ambientet e ILDKPKI-së, inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e deklaratave të tij, me qëllim mbylljen e problemeve të konstatuara nga hetimi administrativ. Edhe për këtë rast ILDKPKI-ja paraqiti kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar fillimin e procedimit penal ndaj Dritan Bicit, me funksion Kryetar i Bashkisë Gramsh, për veprat penale të, fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë, korrupsionit, pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga nenet 257/a/2, neni 244, neni 287, të Kodit Penal.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked